Certifikatat e gjelbra do të shiten në Londër
Kompania “Verbund”, e cila nisi punimet për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Ashtë pranë Shkodrës, synon të prezantojë projektin para zyrës së OKB-së që menaxhon mekanizmin e zhvillimit të pastër, me qëllim që të shesë “vlerën ambientale” të energjisë së prodhuar nga ky hidrocentral në tregjet ndërkombëtare, “mundësisht në Londër”. Lajmi u dha dje nga anëtari i bordit të kompanisë “Verbund”, Christian Kern, në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.
“Ne po punojmë për të plotësuar të gjitha kushtet që nevojiten për ta bërë hidrocentralin e Ashtës pjesë të mekanizmit të zhvillimit të pastër”, deklaroi Kern. “Kemi garantuar që hidrocentrali të mos pengojë peshqit të kalojnë nga rrjedha e poshtme e Drinit në atë të sipërme”, shtoi ai, duke shpjeguar një nga detajet e projektit.
“Hidrocentrali i Ashtës do të kursejë emetimin e 50-100 mijë tonë dyoksid karboni në vit”, tha ministri Prifti. “Ky është projekti i parë shqiptar që synon të përfitojë nga mekanizmi i zhvillimit të pastër”, shtoi ai.
Mekanizmi i zhvillimit të pastër është krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë në kurriz të termocentraleve apo burimeve të tjera ndotëse. Projektet që konsiderohen të pastra, mund të përfitojnë financime nga një zyrë e OKB-së me qendër në Bon të Gjermanisë, ndërkohë që energjia e prodhuar në këtë mënyrë tregtohet dy herë, një herë si energji fizike dhe një herë tjetër si vlera ambientale e kësaj energjie, gjë që shumëfishon të ardhurat e kompanisë.
#