E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amfiteatri i Durrësit, një monument i bukur i antikitetit

Objektet e para antike, që janë zbuluar në Amfiteatrin e Durrësit ishin 100 kandile, të cilat shërbenin për ndriçimin e arenës gjatë shfaqjeve. Që nga ajo kohë kanë kaluar 43 vjet. Sipas arkeologëve të cilat kanë gërmuar në këtë vend antik, kur kanë nisur gërmimet pothuajse nuk dihej asgjë për këtë amfiteatër. Arkeologët kujtojë se punimet nisën në prill të vitit 1966. Të dhënat më të rëndësishme për ekzistencën e amfiteatrit i ka dhënë historiografi i shquar, Marin Barleti në shek. 16-të, i cili në veprën e tij mbi jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan se në Durrës "ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme.... Për zbulimin e plotë të amfiteatrit antik janë prishur 33 shtëpi, ku banonin familje të vjetra durrsake si Kthupi, Njala, Velja, Kapedani, Bebeziqi, Plepi. Ekspeditat intensive për hapjen e amfiteatrit kanë vazhduar nga viti 1966 deri në vitin 1970, e megjithatë monumenti më i bukur i botës antike nuk u zbulua dot plotësisht. Amfiteatri ndodhet në qendër të qytetit dhe 350 metra larg detit në drejtimin jugor. Ndërtimi i tij fillon në rrafshin e arenës në kuotën 5.50 metra mbi nivelin e detit. Dy të tretat e tij mbështeten në kodër. Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në shek. 1-2 pas Krishtit, në periudhën e perandorit Ardian. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj. Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë. Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra. Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive. Në fund të viteve '90 forcat e KFOR-it punuan për hapjen e arenës. Specialistët e Departamentit te arkeologjisë së qytetit tonë, si dhe ata të Universitetit "La Sapienza" të Romës dhe të Universitetit të Parmës me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne kanë konstatuar se në arenë ka ndërtime ende të pazbuluara. Amfiteatri i Durrësit ka përmasa mesatare mes 30 amfiteatrove të zbuluara të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion. Dhjetëra artikuj shkencorë janë shkruar për amfiteatrin e qytetit 2.700-vjeçar. "Amfiteatri i Durrësit dhe raportet urbanistike me qytetin bashkëkohës" titullohet libri i doc. Koço Miho, kushtuar kësaj vepre madhore të arkitekturës, ndërsa në veprën studimore Dyrrachium vëllimi i parë i kushtohet amfiteatrit antik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›