E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pedagoget e mjekesise ‘djegin’ brezat e ardhshem te mjekeve”

Një ëndërr dhe dëshirë e nisur që në bankat e shkollës së mesme, mbajtja e asaj bluze të bardhë me dinjitet dhe humanizëm gjithmonë në shërbim të pacientit të sëmurë. Por sot, Jana Nano, studente në vitin e pestë në Fakultetin e Mjekësisë dhe bashkë me një grup studentësh prej disa ditësh kanë protestuar për mangësitë e sistemit arsimor, i cili nesër do t’i nxjerrë ata mjekë dhe në duart të cilëve do të jenë me qindra jetë njerëzish. Mungesat e sistemit, literaturë e vjetruar dhe indiferenca e pedagogëve rrezikojnë të djegin këtë brez. Si Jana edhe dhjetëra studentë të tjerë shprehen se ndonëse kanë dijet teorike në anën praktike, mund të dështojnë pasi artin e mjekësisë nuk mund ta përvetësosh në mënyrë autodidakte. Duhet një “mjeshtër” të të drejtojë në këtë rrugë të gjatë.

Si të lindi dëshira për të vazhduar studimet për mjekësi? A është e lehtë të fitosh mjekësinë në vendin tonë?

Ka qenë një vendim i marrë nga unë personalisht, aty nga viti i tretë i shkollës së mesme. E dija që kjo do të përbënte një sfidë për mua, por kisha më së miri bindjen që do t’ia dilja mbanë me sukses. Të kesh mundësinë për të ndihmuar të tjerët duke bërë dallimin midis jetës dhe vdekjes është një mision i cili kërkon shumë disiplinë, seriozitet, punë të pashtershme dhe mbi të gjitha bindje në forcat e tua. Unë kam qenë brezi i parë i Maturës Shtetërore dhe mund të them që prurjet e studentëve të atij viti kanë qenë relativisht të mira. Për mendimin tim, sistemi i Maturës Shtetërore ka dështuar në përzgjedhjen e studentëve të cilët me të vërtetë meritojnë të ndjekin Fakultetin e Mjekësisë në bazë meritokracie. Do të ishte shumë më i efektshëm një seleksionim i tyre në fund të vitit të parë apo të dytë. Kjo do të siguronte studentë të përzgjedhur me vlera dhe të aftë në të ardhmen e tyre si mjekë.

Mund të na thuash diçka më shumë për vitet e para të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë? Si qëndronin dëshirat e tua për këtë degë me realitetin që gjete aty? Kur nisët të bëheshit të ndërgjegjshëm për problemet e degës që kishit zgjedhur?

Në fillim të studimeve qe pak e vështirë të ambientohesha me formën e re të mësimdhënies dhe metodës së studimit. Kjo pa dyshim përbën një stacion transit për të gjithë studentët që vijnë që nga gjimnazi. Më vonë, kur tashmë isha përballur mjaftueshëm me sistemin, vura re se gjërat nuk ecnin në mënyrën e duhur. Pas përfundimit të viteve paraklinike, e gjeta veten në një gjendje mjaft kaotike. E kisha mjaft të vështirë të gjeja aplikimin praktik të atyre që lexoja nëpër libra. Kuptova që e gjitha varej nga puna ime e pavarur pranë pacientit apo në leximet e pafundme në bibliotekë, duke shfletuar libra të huaj, pasi kemi shumë mangësi në literaturën shqipe. Por kjo nuk mjaftonte. Artin e mjekësisë nuk mund ta përvetësosh në mënyrë autodidakte. Duhet një “mjeshtër” të të drejtojë në këtë rrugë të gjatë. Pas bisedave që zhvilloja edhe me studentët e tjerë të kursit, vura re se këto pasiguri për të ardhmen tonë shqetësonin edhe ata. Nga kontaktet që kishim me miqtë tanë të së njëjtës degë, vumë re se kishte tmerrësisht mangësi në sistemin tonë arsimor. Shumë gjëra mungonin, duke filluar që nga përkushtimi i profesorëve e duke vazhduar me kushtet ku ne bënim mësim. Zhvillimi ynë akademik linte shumë për të dëshiruar në krahasim më atë të studentëve të huaj në Evropë.

Ti shprehesh se Fakulteti i Mjekësisë prej shumë kohësh është lënë në mëshirë të fatit. Dhe aktualisht je në vit të pestë, për një vit diplomohesh, mendon se ke bagazhin e duhur për t’ushërbyer pacientëve nesër?

Bazat teorike të edukimit mjekësor janë mjaft kompakte dhe të sigurta. Kjo për vetë disiplinën, seriozitetin dhe durimin që kanë studentët e Mjekësisë. Pa dyshim atyre nuk u mungon vullneti dhe dëshira për një përgatitje cilësore akademike. Ngërçi qëndron në aplikimin praktik të njohurive të marra. Puna pranë shtratit të të sëmurit është një përgjegjësi që çdokush nga ne merr përsipër ta kryejë me moralin, seriozitetin dhe profesionalizmin maksimal. Kjo arrihet nëpërmjet një përgatitjeje të mirë teorike, por mbi të gjitha edhe praktike.

Kurrikulat, çfarë vlere kanë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në një treg ndërkombëtar?

Nga bashkëbisedimet që kemi bërë edhe me profesorët tanë, kurrikulat e Fakultetit të Mjekësisë lënë shumë për të dëshiruar. Programet mësimore janë të mira, pasi praktikisht ato janë kopjuar nga formate të marra të gatshme. Problemi qëndron në plotësimin e tyre korrekt. Disa kurrikula të tjera mësimore janë të keqpërshtatura apo “kopjohen” pjesërisht!

Kjo sjell vështirësi në momentin kur duam të bëjmë një konvertim të diplomës shqiptare me atë të një fakulteti të huaj. Kjo na bën të pakonkurrueshëm në tregun ndërkombëtar.

Protestat e para në FM kanë nisur prej 25 marsit dhe janë përshkallëzuar deri me vendimin e një grupi studentësh me hyrje në grevë. A do t’u riktheheni protestave nëse kërkesat tuaja sërish nuk dëgjohen?

Ne jemi shumë të bindur për t’i shkuar deri në fund plotësimit të kërkesave tona. Format ekstreme të presionit duket se kanë pasur efekt. Në një mbledhje që drejtoi sot rektori i Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, me Këshillin e Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë ekskluzivisht për lëvizjen studentore, u diskutua gjerësisht për të ndërmarrë disa zgjidhje konkrete në lidhje me kërkesat tona. Një pjesë e tyre gjetën zgjidhje të menjëhershme, pjesa tjetër kërkojnë një periudhë më afatgjatë.

Qëllimi ynë për të tërhequr vëmendjen dhe për të shkundur këtë sistem arsimor apatik që kishte kohë që e kishte lënë në mëshirë të fatit studentin e Fakultetit të Mjekësisë, u arrit me sukses. Angazhimi i profesorëve dhe i të gjitha strukturave të tjera vendimmarrëse të arsimit të lartë nga lëvizja studentore konfirmoi edhe një herë forcën e fuqishme që kanë studentët për të ndryshuar një sistem të tërë. Nëse nuk do të plotësohen brenda afatit të premtuar, edhe pjesa tjetër e kërkesave ne do të vazhdojmë të reagojmë edhe më fuqishëm.

Jana, ti je pjesë e lëvizjes studentore dhe bashkë me ta protestoni për plotësimin e disa kërkesave bazë në Fakultetin e Mjekësisë. Vendimi u mor që disa prej kërkesave tuaja do të plotësohen. Por sa mund të ndikojnë këto në formimin tuaj, kur ju vetë e thatë se vitin tjetër diplomoheni?

Kjo nismë që ndërmorëm pa dyshim do të japë frytet e saj në brezat e ardhshëm që do të vijnë. Është një investim që ne, duke sakrifikuar sot, sigurojmë për të ardhmen e vëllezërve dhe motrave, mundësi më të mira edukimi. Jo vetëm kaq, por efektet e kësaj që ne po bëjmë sot kanë një impakt të drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët shqiptarë në të ardhmen e afërt.

Mendoj që asnjëherë nuk është vonë për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar. Mjafton ta kërkosh dhe ta duash me të gjitha forcat këtë gjë, i bindur në qëllimet e tua.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›