E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e tre raporteve të KE-së: Ku çalon Shqipëria

Konstatimi
Lëvizja Europiane bën një ballafaqim të tre dokumenteve të monitorimit. Cilat janë pikat e dobëta

Klasa politike në Shqipëri nuk i reflekton siç duhet rekomandimet e Komisionit Europian përmes progres-raporteve vjetore. Në këtë konkluzion del Lëvizja Europiane në Shqipëri pas një krahasimi që ka bërë midis tre raporteve vjetore të Komisionit Europian për Shqipërinë, konkretisht për vitet 2007, 2008 dhe 2009. Në raportin e hartuar nga EMA, thuhet se raportet e Komisionit vënë në dukje progresin e arritur, identifikojnë problemet ekzistuese dhe ofrojnë rekomandime. Nga analiza e tre raporteve progresi i arritur konsiston kryesisht në bërjen e ligjeve të reja, strategjive dhe planeve të veprimit, si dhe krijimin e strukturave dhe institucioneve të reja shtetërore. Mes problemeve, më kryesori ka të bëjë me zbatimin e legjislacionit.
Panorama aktuale e dialogut politik, sistemit të drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, administratës publike dhe liria e medias, duket se po pengojnë procesin e demokratizimit dhe europianizimit të Shqipërisë. Krahasimi i raporteve të Komisionit Europian tregon se nuk ka progres substancial në fushat e mësipërme. Kjo edhe për faktin se të njëjtat rekomandime të Komisionit përsëriten çdo vit dhe mbeten të pa adresuara.
Praktika tregon se procesi i skanimit i kushton një rëndësi të posaçme përmbushjes së kriterit politik nga ana e vendit që aspiron të marrë statusin e kandidatit për në BE. Opinioni i Komisionit Europian mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat do të paraqitet në Këshillin e Ministrave të BE-së, i cili më pas do të vendosë me unanimitet. Kjo do të thotë se Shqipëria duhet të ketë arritje konkrete e të besueshme, veçanërisht në fushat e lidhura me kriterin politik. Dhe në këtë aspekt, dialogu politik është një parakusht për sukses. Nga vlerësimi dhe krahasimi i raporteve të tre viteve të fundit, ka disa çështje që konsiderohen të rëndësishme për përmirësimin e punës së Parlamentit. E para ka të bëjë me zbatimin e legjislacionit dhe zbatimin e reformave të MSA-së. Në raportet e 2007, 2008 dhe 2009, Komisioni vlerëson progresin e bërë në procesin e përafrimit të legjislacionit me acquis. Sidoqoftë, problem vazhdon të mbetet zbatimi i legjislacionit të miratuar dhe përshpejtimi i reformave. Bashkëpunimi dhe konsensusi ndërpartiak në Parlament është vendimtar për përparimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit europian. Në këtë kontekst, raporti i 2007-s thekson se pak progres është vërejtur drejt arritjes së një konsensusi konstruktiv ndërmjet partive politike për sa i përket zbatimit të reformave të nevojshme në procesin e stabilizim-asociimit. Për herë të parë, në raportin e 2008, Komisioni vlerëson bashkëpunimin midis partive, i cili rezultoi në një progres konkret për sa i përket reformës zgjedhore dhe asaj të drejtësisë. Por në vend që të vazhdohej me këtë trajektore pozitive, në 2009-n, Komisioni evidenton një përkeqësim të dialogut politik dhe vonesë të progresit në fushat kyçe. Duke pasur parasysh ngërçin aktual politik, dialogu midis forcave politike si një prioritet themelor i dokumentit të Partneritetit Europian, duhet të normalizohet, me qëllim që t’i mundësojë vendit përparimin drejt fitimit të statusit të vendit kandidat në BE. çështjet e imunitetit parlamentar, sikundër transparenca dhe përgjegjshmëria e Parlamentit, janë ngritur në raportin e 2009-s. Parlamenti nuk ka adresuar ende çështjen e përcaktimit të rregullave specifike që kufizojnë imunitetin e deputetëve, ndonëse janë bërë diskutime mbi këtë çështje që nga 2005. Tendenca nga ekzekutivi për të ushtruar kontroll mbi institucionet e pavarura vazhdon të jetë problematike. Kjo e shoqëruar me marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet institucioneve shtetërore dhe mungesën e konsultimit me aktorët e shoqërisë civile, nuk e ndihmon stabilitetin demokratik të vendit. Stadi i reformave në sistemin gjyqësor përbën një ndër aspektet më të kritikuara në të tre Progres Raportet e 2007, 2008 dhe 2009. Krahasimi i tre raporteve evidenton pak progres në këtë sektor, i cili është i kufizuar në bërje ligjesh apo përmirësime infrastrukturore, por jo në çështje thelbësore si pavarësia dhe profesionalizmi i gjyqësorit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›