E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Të votohet Gjykata Administrative

03/06/2010 Koalicioni

Organizatat e biznesit dhe të shoqërisë civile që bëjnë pjesë në Koalicionin në Përkrahje të Gjykatave Administrative, i kërkuan dje Parlamentit shqiptar që të marrë në shqyrtim në seancë plenare dhe të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative, duke qenë se janë plotësuar të gjitha kushtet për këtë. “Duam të theksojmë se projektligji për Gjykatat Administrative që ka në dorë Parlamenti shqiptar gëzon përkrahjen e plotë të komunitetit të biznesit dhe është përgatitur me mbështetjen e programeve të ndihmës teknike të financuara nga Bashkimi Evropian dhe qeveria amerikane”, thuhej në njoftimin e nisur dje nga 35 organizatat që bëjnë pjesë në këtë koalicion. Përfaqësues të këtyre programeve kanë përkrahur publikisht krijimin e Gjykatave Administrative në Shqipëri. Projektligji për këto gjykata në formën aktuale reflekton thuajse të gjitha sugjerimet e bëra nga ekspertë të qeverisë, të opozitës, të komunitetit të biznesit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë. “Siç e kemi theksuar edhe më parë, miratimi i ligjit do t’i hapë rrugën ngritjes së sistemit të Gjykatave Administrative, një institucion të cilin bizneset dhe qytetarët shqiptarë e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh. Ngritja e këtij sistemi modern gjykatash do të bëjë të mundur trajtimin në mënyrë efektive dhe të drejtë nga gjykatës të specializuar të mosmarrëveshjeve mes individëve apo organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore”, thekson njoftimi për shtyp. Sipas tij do të vlerësohet mjaft nëse Kryetarja e Parlamentit do të marrë nismën për ta vendosur projektligjin për Gjykatat Administrative në rendin e ditës së seancave plenare për muajin qershor, si dhe ftojnë pozitën dhe opozitën që të votojnë pro këtij ligji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›