E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andrea Mano, nudot e katër akademive

Pedagogun e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, të nderuarin Andrea Mano, një nga skulptorët e gjysmës së dytë të shekullit XX të realizmit socialist të zhvilluar në Shqipëri, të gjithë kolegët e tij e kanë cilësuar si “Skulptori i tre akademive”. Ky është një fakt historik që intrigon çdo specialist të fushës të gjurmojë në jetën dhe në krijimtarinë e tij. Dhe në mënyrë të natyrshme studimet rreth krijimtarisë, jetës së Manos dhe absolutisht rreth nudove të tij të paeskpozuara më dërguan menjëherë të njihem thellësisht me shprehjen, të cilën do ta cilësoja paksa më ndryshe “Skulptori i nudove të modeluara në katër akademi arti”. Jeta e një njeriu është shumë e pasur, por jeta e një artisti të çdo fushe të artit, është një jetë shumë e çuditshme, që ka se ç`të të mësojë. Në jetën dhe krijimtarinë e skulptorit Andrea Mano sheh jo vetëm vijueshmërinë e kurbës së krijimtarisë së tij, por mëson diferencat e edukimit të një studenti, që e mori atë në tre shkolla arti të vendeve të ndryshme të botës si Romë, Zagreb, Leningrad. Mëson që edukimin e vazhdoi nëpërmjet punës në studion e skulpturës monumentale të akademisë së Tiranës dhe zbulon se e gjithë silueta e edukimit figurativ e të katër shkollave të artit kalon në një bosht të vetëm, i cili ishte akademizmi i rreptë i pasqyrimit të figurës njerëzore nudo.
Roma
Në biografinë e skulptorit Mano gjen fakte të ndryshme të kohës së tij. Duke kërkuar në kujtimet jetëshkrimore të kohëve akademike gjen të shkruajë se: “…7 prillin 1939 ne, të rinjtë e shkollës teknike dhe të gjimnazit, e pritëm me urrejtje okupatorin që po pushtonte vendin…”. Në këtë vit Andrea aplikoi të fitonte një bursë për të ndjekur studimet në një nga akademitë e arteve në Itali. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia nuk e pengoi arsimimin e shqiptarëve në shkollat e saj. Madje duke parë numrin e shumtë të specialistëve dhe artistëve shqiptarë që kanë studjuar atje bindesh për këtë. Ashtu si në kohën e mbretërimit të Zogut të Parë, edhe gjatë pushtimit, Ministria e Arsimit vazhdoi të jepte bursa studimi. Në vitin 1939 Ministër i Arsimit ishte i nderuar Ernest Koliqi (1903-1975), i cili nxiti dhe aprovoi programet e të drejtave studimore për artistët shqiptarë. Andrea Mano ishte një prej përfituesëve të tyre dhe studjoi në Romë për rreth tre vite. Ai i la në mes studimet në ateljenë e Angelo Zanelit për arsye patriotike. Në vitet e studimit në Itali shkolla Romane e artit, ku studentët shqiptarë u edukuan, ishte një shkollë e parimeve viktoriane, që përfaqësonte dhe respektonte programe të edukimit me traditën klasike. Ajo u mbështet dhe ekzistoi nën ruajtjen e financimeve shtetërore të politikës së kohës edhe pse në Itali pikpamjet e fuqishme futuriste mbi “vendosjen e rregullit” kishin arritur të mbivendoseshin përsëri që nga shfaqja e tyre në vitin 1918. Nga kjo shkollë Andrea e dëshmon edukimin e tij me “Nudon klasike pa krah”, e cila është një model tipik i skulpturës klasike dhe figurë e kopjuar mbi një figurë medodike të sygjeruar prej programeve akademike të shkollës Romane. Andrea në 1942 kthehet në Shqipëri dhe bëri pjesë tek të rinjtë shqiptarë që u përpoqën dhe luftuan për çlirimin e vendit.
Zagrebi
Nga 2 dhjetori i 1945 e deri në 14 mars të 1946 Shqipërinë e njohën të gjitha shtetet e kualicionit antifashist botëror. Ajo ishte pozicionuar dhe kishte vendosur regjimin komunist në emër të rregjimit të popullit. Në arsye të të gjitha zhvillimeve të vendit kjo kohë dëshmon se edukimi me artet e gjeti zhvillimin e vet në akademi të vendeve të tjera të Europës, pasi ende nuk kishte një akademi shqiptare të artit. Tek Andrea ekzistonte nxitja për të vazhduar studimet në skulpturë dhe arrin të përfitojë në vitin 1946 një bursë tjetër për në shkollën e artit të Zagrebit, e cila ishte e tipit akademi. Të gjitha parametrat edukuese të saj mbështeteshin në sistemin e edukimit dhe të aftësimit të studentit me modelimin, njohjen dhe ndërtimin racional dhe realist të figurës njerëzore dhe të trupit të saj nudo. Programet e akademisë së Zagrebit ishin disi më të ndryshme dhe synonin ta shmangnin studentit nga idealizmi klasik i studimeve tradicionale, që udhëhiqnin akademitë viktoriane. Ajo ruante në themelin e saj mënyrën e edukimit dhe studimit të saj, por fryma e tyre ishte shmangia totale ndaj idealizimit, zbukurimit dhe hyjnëzimit të trupit njerëzor, duke i dhënë prioritet mësimit të pasqyrimit të një realizmi të fuqishëm dhe sa më pranë të natyrshmes. Në shënimet e Andrea Manos gjejmë këtë përcaktim për shkollën e Zagrebit: “… Ajo ishte një akademi e drejtimit realist, ku kërkohej studimi thelbëso i natyrës trupore dhe i psikologjisë së njeriut”. Modelet që ka krijuar në këtë shkollë janë shprehi e qartë e forcës figurative të kësaj shkolle dhe frymës së fuqishme që ajo mbart në vendosjen e pozicionit të modelit. Modeli përkon me një figurë aktive, në lëvizje të thellë dhe plot gjallëri. Portreti i figurës kërkon të shprehet në varësi të lëvizjes apo veprimit që kryen trupi.
Leningradi
Dëshmitë e shkruara prej skulptorit Andrea Mano, të mbajtura me shumë kujdes, vit pas viti, na tregojnë qartë vijueshmërinë e studimeve të tij në varësi të ndryshimit të politikave të ndodhura ndërmjet vendit të tij me vendet e tjera. Ai shkruan: “…Mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë në vitin 1948, u ktheva në atdhe, ku qëndrova një vit. Gjatë kësaj kohe punova për projektin e monumentit të “ Partizanit” për Tiranën, që e kisha fituar në konkursin e shpallur nga qeveria në vitin 1946. Pasi mbarova figurën skulpturale të partizanit së bashku me relievet anësore, në vitin 1949 u nisa për në Leningrad…”. (sot shën Petërburg). Skulptori ishte një prej studentëve të parë shqiptarë që studjoi në këtë shkollë, pasi deri në vitin 1960 do të studjonin shumë artistë të tjerë të rinj shqiptarë, të cilët më vonë do të përbënin grupin e artistëve që do të aplikonin dhe drejtonin edhe metodën e realizmit socialist në Shqipëri. Në Leningradin e viteve `50 Andrea Mano qëndroi katër vite të plota dhe u diplomua skulptor në Akademinë e tij, e cila ishte një akademi arti shumë e njohur në sistemin e edukimit me artin edhe në Europë. Ajo ishte një shkollë e ashpër tradicionale, ku programet e saj ishin një kombinim rrjedhues i elementeve figurative krijuese të shkollave viktorine me elementet e rinj socialë-figurativë të programuara nga ideologjia e kohës leniniste. Qartësinë e asaj shkolle e dëshmojnë kërkimet e historianit e studjuesit bashkëkohor amerikan mbi impresionizmin sovjetik dhe stilet e tij Vern Grosnevor Swanson i cili thotë se: “…Realizmi socialist sovjetik, si një shkollë, çuditi natyralistët më të shquar të botës dhe të gjithë piktorët realistë të perëndimit të çerekut të shekullit XX. Ajo ishte si një rilindje e realizmit prapa perdes së hekurt...”. Ndërsa për të kuptuar krijimtarinë e Andrea Manos në atë shkollë duhet të lexojmë në rrjeshtat e kujtimeve të tij kur ai shkruan se: “…Shkolla ruse për mua ishte shkolla më e rreptë. Shkolla më e rëndë e realizmit”. Dhe duke rikujtuar se Andrea kishte studjuar në dy atelje akademike europiane, ku natyrisht serioziteti i programeve të shkollës dhe devotshmëria e tij nuk shfaqen aspak të minimizuara, arrijmë të kuptojmë rregullin e rreptë figurativ “exkatedra” të akademisë ruse. Këtë e dëshmojnë veprat nudo në vizatim dhe në skulpturë të Manos realizuar në ateljetë e saj dhe konceptet e shkruara si nga Swasnon ashtu dhe nga Mano. Mw lejoni të përmend dhe të diferencoj atë shprehi diletante që iu mundësua dhe iu dha shkas të ekspozohej në Shqipëri, e cila kurrsesi nuk mund të marrë emërtimin “art” dhe nuk ishte gjë tjetër veçse një masivizim absurd i paaftësisë. I lejuar vetëm me qëllim dhunimi mbi artin profesional dhe propagandimi ideshë absurde të kohës socialiste.
Tirana
Në vitin 1954 Andrea Mano kthehet në Shqipëri, i diplomuar dhe me një bagazh njohurish të pakrahasueshme deri në atë kohë. Ky pakrahasim vjen si rrjedhojë e njohurive të tija të marra në modelimin skulpturor, në njohuritë e historisë dhe të estetikës së artit, në perceptimet e marra drejtëpërsëdrejti nga kultura të ndryshme në tre vende të botës. Ky formim i dha të drejtën e padiskutueshme, që të ishte një prej pedagogëve të artit të shkollës shqiptare, e cila burimin e saj e kishte tek shkolla e vizatimit të viteve ‘30 dhe në degën e vizatimit në institutin teknik Harry T. Fultz, ku ai kishte marrë mësimet e para mbi artin deri në vitin 1938. Në këtë arsyetim formimi akademik i takoi të ishte në shërbim të edukimit dhe vendi i tij i punës ka qenë vazdimisht në shkollat shqiptare të artit. Fillimisht në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” dhe nga viti 1970 në Institutin e Lartë të Arteve. Por ajo që kthehet në një legjendë individuale është se Profesor Andrea, një prej profesorëve të mi të skulpturës akademike, ateljenë që drejtonte e kishte dhe ateljenë e krijimtarisë së nudove të tij. Ato janë 14 nudo me përmasa të vogla të tipit bocet, të cilat u ekspozuan për herë të parë e të vetme në ekspozitën “Posteva”. Ai punonte gjatë orëve tona studimore, ekzekutonte dhe interpretonte modelin e vendosur në atelje me të njëjtën kohë rrjedhëse të orës skulpturore që drejtonte. Mendoj se Shkolla e Tiranës ishte si një vend ku ai vazhdoi “edukimin” e tij, i cili ishte kthyer si një zakon në skulpturimin e nudove. Gjithashtu kam mendimin se këto nudo janë një shprehi krejt e ndryshme nga nudot studimore të kryera në akademitë europiane. Ato janë piksëpari si një engledisje e nudos- bocet në metodën e realizmit socialist. Dhe së dyti janë shprehi figurative të patrajtuara deri në fundin e tyre, duke mbetur si modele të krijuara nga një dorë e edukuar dhe e zhdërvjelltë. Diku tek to, mund të themi se fshihet ndonjë qëllim për tu kthyer në skulptura të mëdha njëfigurshe, me tema socialiste e të kërkura prej një kohe të tillë, të cilat Mano i trajtonte në ekspozitat kombëtare e lokale të para viteve ‘90. Por sot fakti nudove të tij të realizuara në ateljenë e shkollës së Tiranës na mëson t‘i lexojmë si nudot e fundit të Andrea Manos, prej të cilave ai nuk arriti të shkëputet asnjëherë, që nga fillimet e edukimit të tij aristik. Të gjitha idetë mbi Manon dhe krijimtarinë e tij të plotë do të jenë së shpejti të vendosura në një botim.

(Marre nga suplementi i Gazeta Shqiptare, MILOSAO)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›