E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Serbia në BE? Të ndihmojë hetimin e krimeve të luftës

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se sheh një perspektivë të mirë për Serbinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian. Merkel i dha këto komente gjatë vizitës së presidentit serb Boris Tadiç në Berlin. Ajo tha se Beogradi duhet të kapërcejë disa pengesa që kanë bllokuar fillimin e procesit të bisedimeve të gjata për anëtarësimin e Serbisë në BE, njëra prej të cilave është kërkesa e unionit për një bashkëpunim më të madh mes Serbisë dhe prokurorëve të Hagës për krime lufte.
Holanda ka bllokuar Serbinë për fillimin e bisedimeve për anëtarsim pasi Beogradi nuk po arreston kriminelin e luftës, ish gjeneralin e ushtrisë Ratko Mladiç i cili akuzohet për genocid. Merkel veçoi përpjekjet e fundit nga qeveria e Tadiçit në zbatimin e disa reformave të brendshme pro-perëndimore. Ajo tha se do të lobojë mes udhëheqësve të BE-s që janë kundër fillimit të Serbisë për bisedime për anëtarsim, megjithë diferencat me Beogradin rreth çështjes së statusit të Kosovës. Kështu Gjermania mbështet Serbinë për një afrim hap pas hapi në Bashkimin Europian. Hyrja në fuqi e heqjes së vizave për Serbinë në BE nga janari është një lajm shumë i rëndësishëm, tha kancelarja Angela Merkel, pas takimit me Presidentin serb Boris Tadiç në Berlin. Ajo vlerësoi reformat e qeverisë në Beograd në politikën e brendshme. Por perspektiva për një pranim të Serbisë në BE ka një sërë pengesash, tha Merkel ndërsa Tadiç nga ana e tij siguroi për rëndësinë që ka për vendin e tij mbështetja e Gjermanisë, vendi me ekonominë më të madhe në Europë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›