Aneta Rama: Nuk pajtohem me Berishën
Nëna e kryetarit të Partisë Socialiste nuk pranoi dje në Gjykatën e Lartë të pajtohet me Kryeministrin, pasi më parë e kishte paditur për shpifje dhe cenim të dinjitetit. Aneta Rama ka marrë pjesë dje personalisht në seancën gjyqësore në Gjykatën Supreme, e cila parashikonte sipas ligjit pajtimin mes palëve. Nëna e kryesocialistit tha nëpërmjet avokatëve mbrojtës, Arjan Salati dhe Eno Bushi, se nuk shikon asnjë rrethanë për t’u tërhequr nga kërkesa. Me gjithë pjesëmarrjen e zonjës Aneta, Kryeministri i vendit përfaqësohej me një prokurë të lëshuar prej tij nga avokatja Erinda Ballanca. Avokatët e Ramës i thanë Gjykatës së Lartë se Kryeministri më 26 nëntor 2009, në seancën e Kuvendit ka shpifur ndaj klientes së tyre në dy fjalitë kur ka thënë se “zonja ka kuruar të birin për disa vjet dhe se i biri e ka nxjerrë me rrobat e gjumit në pazar”. Zonja Aneta Rama nuk foli para Kolegjit, ndërkohë që avokatja e Kryeministrit, pasi dëgjoi qëndrimin e palës paditëse që refuzoi pajtimin, tha se do ta japë qëndrimin në një seancë të mëvonshme. Trupi gjykues në bazë të ligjit i ka kërkuar paditëses ta falë të akuzuarin, por zonja Rama nuk ka pranuar, duke deklaruar se “nuk ia fal Berishës ato që ka thënë për familjen time”. Kështu, trupi gjykues ka vendosur që ta shtyjë seancën gjyqësore. Tashmë gjyqi do të zhvillohet me palët në proces dhe në datën 12 prill do të verifikohen të gjitha provat. Nëse Gjykata e Lartë e gjen në faj Kryeministrin për akuzën e ngritur nga zonja Rama, atëherë Kolegji Penal do t’i kërkojë Parlamentit heqjen e imunitetit. Trupa gjyqësore përbëhet nga Evjeni Sinoimeri, relatore e çështjes, si dhe nga anëtarët Ardian Nuni, Ardian Dvorani, Andi Celiku, Irma Bala. Kjo trupë gjyqësore do të vendosë për fatin e mëtejshëm të çështjes.
Aneta Rama ka bashkëngjitur, krahas padisë, edhe fjalimin e Berishës, mbajtur në Kuvend në datë 26 nëntor, si dhe kopjet e gazetave të përditshme, ku janë botuar akuzat e Kryeministrit ndaj familjes Rama. “Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, me anën e kësaj kërkese për gjykim shpreh vullnetin tim për të gjykuar shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi botërisht ka konsumuar në dëmin tim veprën penale të shpifjes, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal”, thuhet në fillim të kërkesë-padisë që zonja Rama sqaron se deklarata e Berishës, që Edi Rama është kuruar për disa nga sëmundja e skizofrenisë është një shpifje dhe trillim. Aneta quan shpifje dhe thënie të pavërteta deklaratat e Berishës, sikur djali i saj, Edi Rama, e ka dëbuar, duke e nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. E ëma e kreut të PS-së shkruan se “deklaratat e Kryeministrit nga foltorja e Parlamentit kanë qëllim diskreditimin publikisht jo vetëm të kundërshtarit të tij politik, por edhe të njerëzve të afërt të familjes”.
#