Rama, mesazhe medias për operacionin tim
Më 26 mars, Kryeministri Sali Berisha kreu operacionin në këmbë për shkak të një problemi që e pengonte të lëvizte lirshëm. Ndërhyja ka zgjatur mbi një orë e gjysmë dhe pas saj, shefi i mazhorancës ka qenë i lirë t’i rikthehet punës së përditshme. Sapo ka bërë këtë, ai është hedhur në sulm duke akuzuar rivalin politik se i ka servirur medias informacion rreth operacionit. “Dua të falënderoj edhe mediat me shumë respekt, të cilat dje ishin subjekt i një agresioni të paparë mesazhesh dhe trillimesh të një njeriu, i cili është i njohur se vuan tmerrësisht nga mesazhomania, lidhur me operacionin tim. Disa prej atyre mesazheve i kam unë këtu, se m’i kanë nisur gazetarët. Një njeri që e ndërton suksesin vetëm mbi krizën, sëmundjen, fatkeqësinë, imagjinoni ju se ç’mund të bëjë. Dje gjithë ditën është marrë me një histori të tillë”, tha dje Berisha. Nuk mund të mos them, vijoi ai, se janë disa operacione të cilat kanë një domethënie tjetër, kur detyrosh t’i bësh ato 30 apo 40 vjet para kohe, flasin vetë. “Se shkon të transplantosh flokët, rri edhe dy javë në klinikë dhe nuk të mbin një qime dhe kjo jo për faj të rasatit, por për faj të arës; apo kur shkon për të hequr xhufkat në qepalla dhe të bien sytë më keq; apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe nuk të mbajnë”, theksoi Berisha.
#