E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësimi në BE, Berisha: Shqipëria, vend i sigurt. Luftuam krimin dhe korrupsionin

Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Europë. Kështu ka deklaruar në një intervistë për website EurActivity (nje media qe pasqyron zhvillimet ne BE) kryeministri shqiptar Sali Berisha i cili theksoi se qeveria shqiptare ka marrë një sërë masash për të parandaluar krimin e organizuar dhe se vendi ka patur një rritje ekonomike të qëndrueshme pavarësisht krizës ekonomike.

• Berisha dorëzon pyetësorin. Fule: Situata politike, jo sipas kërkesës së BE

“Mafia Shqiptare tashmë i përket të kaluarës. Janë vënë në pranga e më pas dënuar më shumë se 1 mijë kriminelë” tha Berisha në intervistën e tij.

Kryeministri shqiptar u shpreh se nuk beson se vala e madhe e emigrantëve shqiptarë drejt vendeve europiane do të përbënte një pengesë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Një ditë më parë, në fjalën e mbajtur në një eveniment të organizuar në Parlamentin Europian nga fondacioni Robert Schuman, Berisha mbroi çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke sjellë shumë shembuj të masave të ashpra të marra nga qeveria shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në këtë kuadër ai përmendi vendimin për heqjen e të drejtës së përdorimit të automjeteve shtetërore nga shumë zyrtarë të lartë apo procedurat lehtësuese për ngritjen e një biznesi për investitorët e huaj. Berisha foli edhe për situatën politike në vend duke fajësuar opozitën për bojkotin e parlamentit.

Kryeministri Berisha dorëzoi dje në Bruksel dosjen me pergjigjet e pyetësorit për integrimin europian të Shqipërisë. Mbi bazën e përgjigjeve, të dhëna për 2284 pyetje, Brukseli do të japë vendimin për marrjen e statutit të vendit kandidat në Bashkimin Europian për Shqipërinë.

El/Ma Azhornuar së fundi ( e enjte , 15 prill 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›