E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësimi në BE, Zv/presidenti i PE: I rëndësishëm stabiliteti politik

Ndërkombëtarët vazhdojnë t’i bëjnë thirrje klasës politike shqiptare te gjejë një zgjidhje për të dalë nga kriza politike që zotëron në vend prej më shumë se 7 muajsh. Një ditë pas deklaratës së komisionerit europian për zgjerimin, Fule, ka qenë zv/presidenti i Parlamentit Europian Xhovani Pitela ai që ka theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë politike në vend. Pitela e ka bërë këtë deklaratë në një takim të zhvilluar sot në presidencë me kreun e shtetit Bamir Topi ku theksoi rëndësinë e dialogut politik për proceset integruese të Shqipërisë.

Zv/presidenti i PE vlerësoi lart rolin moderues të presidentit Topi për zgjidhjen e ngërçit aktual politik duke vënë në pah edhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në konsolidimin e paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor si dhe në integrimin e këtij rajoni në familjen evropiane.
Presidenti Topi dhe zv/presidenti i PE diskutuan gjithashtu edhe për liberalizimin e regjimit të vizave, si përmbushje e aspiratës së popullit shqiptar për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht në familjen tradicionale evropiane.

“Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni dhe afirmon njëkohësisht rolin e BE-së, si një organizatë ndërkombëtare me influencë të gjerë. Shqipëria kontribuon mjaft në rritjen e stabilitetit në rajon me anë të rritjes së bashkëpunimit me vendet fqinje, dhe jep garanci për zhvillimin e tij, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm” tha Topi.

Në takim ishte i pranishëm edhe amabsadori italian në Tiranë, Saba D’Elia. Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 31 mars 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›