E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarët e KRRT-së: Pse jemi kundër rrugës së portit

10/12/2010  Sipas tyre, rruga ngushtohet nga 4 korsi në 2, pasi tokat anash janë dhënë nga bashkia për ndërtim

DURRES- Shumica e anëtarëve të KRRT-së në Bashkinë e Durrësit kanë bërë të njëjtin veprim, si dhe në mbledhjet e tjera të mëparshme për sa i përket projektit për ndërtimin e rrugës hyrëse në Durrës paralel me murin e portit. Por ndryshe nga herët e tjera, anëtarët kanë vendosur të flasin këtë herë për të bindur qytetarët lidhur me arsyet që i kanë shtyrë atë të mos e kalojnë këtë projekt.

Kundërshtimi

Ardian Muka ka pohuar se bashkia propozon ngushtimin e rrugës nga katër korsi në dy korsi në mesin e gjatësisë së segmentit hyrës, ngase bashkia ka dhënë leje ndërtimi në atë vend. Shumica e anëtarëve të KRRT-së kërkon që projekti i rrugës të jetë unik, si në fillim ashtu edhe në fund dhe të mos pësojë ngushtime në disa vende. Ngushtimi i rrugës nga katër korsi në dy korsi shfaqet në projekt aty ku gjendet terminali i kontejnerëve të portit. “Në këtë zonë janë dhënë shumë leje ndërtimi dhe janë ngritur e do të ngrihen të tjera pallate”,-ka thënë Muka. Ky është qëndrimi i parë i hapur që mbahet në kundërshtim me projektin që ka bashkia, duke nxjerrë në dritë edhe ato që fliteshin me zë të ulët lidhur me zënien, kompensimin, shitjen e blerjen e tokës në ish-stacionin e vjetër të hekurudhës deri në afërsi të Urës së Dajlanit. Por këtë herë gjërat janë thënë më hapur duke krijuar një klimë tjetër brenda në KRRT. Kryetari i bashkisë përballë këtij deklarimi është përpjekur të kompensojë duke kërkuar t’i marrë portit tokë për të mos e ngushtuar rrugën gjë që nuk është pranuar nga KRRT. Por ky qëndrim ka ardhur sa për të kapërcyer situatën, pasi bashkia dhe kreu i saj kanë tashmë të ditur faktin e këmbënguljes së Autoritetit Portual për të mos lejuar ngushtimin e hapësirave të saj për qëllime private të disa subjekteve që duan të ndërtojnë për përfitime personale në dëm të interesave të publikut. Nga ana tjetër specialistët kanë shfaqur rezerva të forta për sa i përket mënyrës se si kjo rrugë do të lidhet me Urën e Dajlanit në hyrje të qytetit. Projekti nuk e ka parashikuar se si do të lidhen dy akset e rrugës me mbikalimin, gjë që do e vështirësojë edhe më tej marrjen e kartonëve të shumicës në KRRT. Bashkia nga ana e saj ka nxjerrë mënjanë fondin në 100 milionë lekë për këtë rrugë që ende nuk ka marrë miratim dhe kjo shumë është thënë se do të shpenzohet për lotin e parë. Këmbëngulja e bashkisë është shfaqur deri në tendencën për t’iu imponuar anëtarëve të KRRT-së duke krijuar në këtë mënyrë klimën e mosmarrëveshjes mes tyre. KRRT pritet që në takimin e radhës pas projekteve publike të marrë në shqyrtim 97 leje ndërtimi dhe 29 leje sheshi ndërtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›