E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve do të kalojë nga Komisioni i Ligjeve

13/12/2010  Futet në procedura kërkesa e PS-së

Komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të diskutojë gjatë kësaj jave kërkesën e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni, kryetari i tij, deputet i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, komunikoi për anëtarët e tjerë axhendën e ditëve në vijim, mes të cilave edhe atë të së martës, që lidhej me vendimin e Konferencës së Kryetarëve për këtë çështje. Relatori i çështjes është zgjedhur deputeti i PD-së, ish-zv/ministri i Drejtësisë, Viktor Gumi. Konferenca e Kryetarëve në mbledhjen e saj të fundit vendosi që kërkesa e socialistëve për hetimin e zgjedhjeve të diskutohet fillimisht nga Komisioni i Ligjeve dhe më pas t’i kalojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë. “Konferenca është mbledhur që kërkesa të përfshihet në kalendar. Mendoj që Komisioni i Ligjeve duhet ta shqyrtojë. Unë ju kërkoj ju dhe mazhorancës që të filloni negociatat për emrat dhe më pas unë mund të thërras edhe një mbledhje tjetër. Kështu jemi në rregull me ligjin dhe rregulloren”, ka deklaruar Kryetarja e Kuvendit në mbledhjen e Konferencës. Por socialistët, referuar ligjit për komisionet hetimore, ngritën pretendimin e diskutimit dhe miratimit të kërkesës së tyre vetëm nga seanca. Ligji në fjalë përcakton se “grupi nismëtar paraqet qëllimin e krijimit të komisionit, çështjen që do të hetohet, propozimin për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit. Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së kërkesës, mbledh Byronë e Kuvendit për të diskutuar mbi kërkesën e nismëtarëve, përbërjen e komisionit dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›