Kristaq Skrami: Teatri, një tempull i shenjtë i artit dhe kulturës
Më 17 maj të vitit 1945, 19 djem dhe vajza do të vinin themelet e teatrit shqiptar. Komedia Topazi me regjisor Sokrat Mio ishte dhe shfaqja e parë për publikun shqiptar. Andon Pano, Ollga Shuraja, Besim Levonja e Lazër Filipi ishin aktorët e përzgjedhur, për të i
nterpretuar këtë shfaqje të parë në skenën teatrore. Vitet kalojnë dhe për 65vite në skenën e tij janë ngjitur breza të tërë artistësh, të cilët për dekada me radhë kanë sjellë para publikut personazhe dhe role nga më të ndryshmet. Kryevepra të dramaturgjisë botërore, por edhe krijime shqiptare janë ngjitur në këtë skenë për 65 vite me radhë, duke i dhuruar spektatorit 3100 role. Për të festuar këtë jubile, ishin mbledhur aktorë, regjisorë të njohur, personalitete të artit, kulturës e më gjerë. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Teatrit Kombëtar, z. Kristaq Skrami u shpreh se ky institucion është një tempull i artit dhe kulturës, duke falënderuar të gjithë ata artistë që janë ngjitur në skenën e tij me vite e vite me radhë, që sipas tij i kanë dhënë jetë teatrit shqiptar. Kjo është një ditë e veçantë, pasi sot në këtë jubile nderojmë të gjithë ata që i dhanë jetë teatrit, këtij tempulli të shenjtë të artit dhe kulturës, theksoi ndër të tjera Skrami. Në këtë ceremoni për të festuar 65 vjetorin e Teatrit Kombëtar ministri i Kulturës z. Ferdinand Xhaferraj u shpreh se Teatri Kombëtar ka qenë dhe mbetet një majë e lartë e elitës intelektuale shqiptare, një zë i fuqishëm dhe i spikatur i talentit dhe mundësive të shpirtit shqiptar, dhe një krenari e ligjshme e gjithëçkaje evropiane që ka Shqipëria në këto vite. Ky 65-vjetor më jep kënaqësinë tju uroj me zemër në njërën prej datave më të rëndësishme të institucioneve të artit tonë, në datën e krijimit të Teatrit Kombëtar të shqiptarëve. Teatri ynë nuk përfaqëson sot vetëm një datë dhe një ndërtesë ku janë zhvilluar dhe zhvillohen veprimtaritë teatrore. Teatri shqiptar, është një ndërtesë e shenjtë shpirtërore e mbrujtur prej tingullit të gjuhës sonë amtare, shkruar prej shkrimtarëve tanë të mëdhenj dhe shqiptuar prej aktorëve të shquar të fjalës artistike shqiptare, theksoi në fjalën e tij ministri Xhaferraj. Duke u kthyer pas në kohë, aktorja Margarita Xhepa kujton revolucion e femrave që thyhen tabutë e u bënë aktore, ndërsa kritiku Josif Papagjoni sjell një pjesë të historikut. Por, pavarësisht kujtimeve dhe homazhit për emrat që tashmë i mungojnë kësaj skene, regjisori Mihal Luarasi ka bërë një apel për të ardhmen e teatrit e në mënyrë të veçantë dramës shqip. E para shfaqje e dokumentuar nga burimet arkivore është Dasma e Lunxhërisë e Koto Hoxhit vënë në skenë në vitin 1874 nga djemtë e shkollës normale të Lunxhërisë. Ndërsa drama e parë e mirëfilltë është Besa e Sami Frashërit-1875, e cila ndonëse u shkrua në turqisht, kishte tematikë shqiptare. Salla e parë teatrore është ndërtuar në Shkodër në vitin 1890 nga Urdhri Jezuit. Deri në vitin 1908 në arkiva flitet për shfaqje të vëna në skenë kryesisht nga mësues e pedagogë të shkollave, ndërsa pjesët kishin karakter të mirëfilltë teatror. Në vitet 20-30 me themelimin e Tiranës si kryeqytet Teatri mori një status më institucional. Dramaturgjia e atëhershme krahas motivit patriotik vjen e bëhet me realiste dhe interesohet dhe për dukuritë sociale. Ndihmesë në zhvillim japin veprat e Foqion Postolit, Haki Sërmillit etj. Në vitet 1956-1965 flitet për një teatër vërtet profesionist, ku radhët e të cilit u shtuan me skenografë, regjisorë dhe aktorë të kualifikuar. Por do veçojmë edhe se në repertorin e kësaj periudhe spikasin vepra madhore nga dramaturgjia botërore. Të gjithë ata që sot ngjiten në skenën teatrore pohojnë se ishte shpirti i korifejve të mëdhenj si Mihal Popit, Anton Pano, Prokop Mima, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Marie Logoreci dhe shumë të tjerëve, të cilët vunë në themel të kësaj godine, talentin, vizionin, dashurinë për artin, duke sjellë pranë publikut kryeveprat e kohëve, duke përcjellë nga kjo skenë mesazhe të fuqishme për të ardhmen, duke e bërë këtë godinë një shtëpi të dashur të gjithë artistëve. Dhe ky përkushtim i dha frytet e veta, pasi shumë shpejt shoqëria shqiptare filloi të projektohej dhe të projektonte vetveten e saj në këtë skenë. Karakteret e pashoq të Naim Frashërit, Viktor Gjokës, Violeta Manushit, Sandër Prosit, Pjetër Gjokës, Agim Qirjaqit, Tinka Kurtit, Margarita Xhepës, Edi Luarasit, Robert Ndrenikës, me regjitë e të mëdhenjve Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Pirro Mani dhe shumë personalitete të tjera të teatrit u bënë modele të vyera për shpirtin e etur te shqiptareve, në kohën më të errët politike të historisë së Shqipërisë. Në vijim të aktiviteteve, një film dokumentar mbi historikun e teatrit që nga krijimi i tij e deri më sot ka qenë edhe surpriza e kësaj ditëlindje. Ndërkaq në mbrëmje për të pranishmi në skenë erdhi drama Darka e gabuar, një premierë me regji nga Fatos Haxhiraj, e cila sjell në skenë disa nga emrat më të njohur të teatrit shqiptar.
Nga Julia Vrapi