E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankohet Barcelona

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se skuadra e tij dominoi kundër Milanit, pavarësisht barazimit 0-0 në ndeshjen e tyre të parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Gjiganti katalan ka paraqitur ankesë në UEFA për gjendjen e keqe të fushës në San Siro e Guardiola thotë se gjigantët milanezë meritojnë një terren më të mirë.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se skuadra e tij “dominoi” ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Milanit, por ankohet se fusha e lojës në stadiumin San Siro i dëmtoi ata në barazimin 0-0.

Gjiganti katalan e mbajti përqindjen e zakonshme të posedimit, por nuk arriti të thyejë mbrojtjen e Milanit për të shënuar golin e rëndësishëm në udhëtim. Gjatë ndeshjes, Guardiola dukej i dëshpëruar me futbollistët e tij që nuk arrinin të realizonin, megjithatë në fund refuzoi t’i kritikojë ata dhe përmendi gjëra pozitive.

“Ne luajtëm mirë, kishim posedim dhe dominuam. Pas pjesës së parë u thash futbollistëve të mi të mos rrezikojnë shumë. Milan është i kënaqur me rezultatin dhe ky është komplimenti më i madh që mund të marrim nga një klub me shtatë tituj të kampionit evropian”, deklaroi Guardiola.

Por, strategu katalan nuk ishte kaq pozitiv sa i përket fushës së lojës në San Siro. “Milani duhet të marrë masa. Ne luajmë aty ku na thonë të luajmë, por nuk mendoj se Milan dhe Inter e duan një fushë në gjendje të tillë. Është keq për spektaklin, por ne jemi kampion dhe duhet të tejkalojmë të gjitha pengesat. E kemi bërë shumë herë, edhe pse njerëzit thonë të kundërtën”, u shpreh ai.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Nou Camp të martën e ardhshme. Kurse, sipas të përditshmes sportive spanjolle Marca, Barcelona ka vendosur të paraqesë një ankesë në UEFA ndaj skuadrës së Milanit për gjendjen e dobët të terrenit në San Siro. Sipas Marcas, UEFA mund të dënojë Milanin për terrenin e papërshtatshëm të përgatitur në një ndeshje aq të rëndësishme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›