E Diel, 1 Nëntor 2026

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, koncerte në Kinë

06/05/2010 Valle dhe këngë popullore nga të gjitha trevat shqiptare në skenën kineze. Ky është turi koncertor i ndërmarrë nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore në Kinë. Në datat 4-5 maj janë shfaqur për publikun kinez disa koncerte të programuara, duke filluar me “Ditë feste në Tiranë” me muzikë nga Agim Krajka, koreografi të Panajot Kanaçit nën interpretimin e solistëve Brikena Jaupaj e Gëzim Halili; “Buzëqesh goca” teksti e muzika Ramadan Zyberi, potpuri të Shqipërisë së Mesme dhe “Lule të bukura ka Tirana” të kënduara nga Iris Bega. Nuk kanë munguar dhe “Kaba për klarinetë”, me solist Artan Shabanin të shoqëruar nga Orkestrina, valle “Gorarçe”- muzika Astrit Dalipi, koreografia Gëzim Kaceli dhe solist Genc Kastrati, valle “Tropojane” koreografia, Gëzim Kaceli, soliste Olta Ahmetaj shoqëron me lodër Leonard Cara. Pjesë e programit ishte edhe vallja “Kosovare” me muzikë nga Agim Krajka, koreografi nga Besim Zekthi dhe solistë Brikena Jaupaj e Gëzim Halili.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë komponentët artistikë dhe teknike të një trupe artistike. Ky ansambël përbëhet nga solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e vlerave dhe “trashëgimisë” folklorike të Shqipërisë, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave popullore që variojnë nga zona në zonë. Pjesëmarrës në dhjetëra Festivale Ndërkombëtare, Kontinentale dhe Ndërkontinentale, është vlerësuar për origjinalitetin dhe cilësinë e interpretimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›