Antimafia, anëtari i bandës së Durrësit, i varfër
Anëtari i bandës së Durrësit, Plaurent Dervishaj, i hetuar dhe gjykuar në arrati për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale në Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda, ka rezultuar i “varfër” ekonomikisht. Megjithëse prej katër vjetësh është shpallur në kërkim, drejtësia shqiptare vazhdon të verifikojë lidhjet e Plaurent Dervishajt me botën e krimit dhe me asetet që mund të zotëronte me prejardhje kriminale. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Antimafie”, prokuroria i ka kërkuar bankave të niveleve të dyta dhe të gjitha zyrave të regjistrimit të pronave të paluajtshme informacione për asetet financiare që mund të zotëronte një prej krerëve të bandave të Durrësit, i akuzuar për disa vrasje nga viti 1997-2005 dhe i cilësuar si krahu i djathtë i Lulzim Berishës.
“Janë dërguar rreth 20 kërkesa në banka dhe hipoteka dhe nga përgjigjet që kanë mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka rezultuar se Plaurent Dervishaj, i marrë i pandehur për akuzat e vrasjes dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale, ka rezultuar i varfër”, thanë burimet nga akuza qendrore, duke shtuar se ky person është një nga më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Një dosje e mirëfilltë i është dërguar Interpolit, ndërsa FBI-ja e ka cilësuar Plaurent Dervishajn si një nga më të kërkuarit në shtetin e Nju Xhersit. Krahas aktivitetit kriminal, prokuroria shqiptare ka marrë kontakte me FBI-në, pasi ka dyshime të verifikuara se i akuzuari si një nga anëtarët e bandave të Durrësit, ndodhet në SHBA.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit “Antimafie”, dosjet e krimit të organizuar vazhdojnë të jenë objekt hetimesh dhe verifikimesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse kanë ose jo të pandehur. Mjafton që individët të jenë hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas vitit 2005 dhe fare thjeshtë mund të bëhen edhe objekt verifikimesh për pasurinë që zotërojnë. Ligji i ri “Antimafie” përcakton se hetimi pasuror ndaj një individi mund të realizohet edhe nëse ai nuk ka një dosje penale, por mjafton që policia ta ketë hetuar për veprat penale që parashikohen në ligjin “Për parandalimin e krimit të organizuar”. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se ka filluar një verifikim i plotë i të gjitha dosjeve hetimore dhe në “sitë” janë miliona euro, ndërsa janë përfshirë të gjithë hetuesit që janë në marrëdhënie pune. Dosjet, të cilat po i nënshtrohen këtij hetimi pasuror, janë të gjitha ato çështje ku personat janë hetuar apo gjykuar për veprat penale të trafiqeve. Në kuadër të këtij verifikimi është hetuar edhe i pandehuri Plaurent Dervishaj, ndërsa janë përjashtuar nga hetimi të gjitha ato dosje apo persona, pasuritë e të cilëve i janë nënshtruar një procesi gjyqësor, pavarësisht se çfarë vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Apelit. Në këtë rast u përjashtuan nga verifikimi pronat e Lul Berishës pasi Gjykata e Lartë ia ktheu të pandehurit.
Një urdhër i brendshëm i drejtuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka marrë në shqyrtim të hetimit pasuror qindra procedime penale. Mes këtyre dosjeve që po hetohen janë në shqyrtim edhe ata persona për të cilët nuk është arritur të sigurohen prova materiale për implikimin e tyre në trafiqe të ndryshme, si ato të drogës, armëve apo femrave. Burime nga akuza qendrore thanë se vlera e pasurisë që pritet të sekuestrohet është miliona euro, ndërsa edhe personat, ndaj të cilëve nuk ka një procedim gjyqësor, i janë nënshtruar këtij hetimi pasuror.
Për të provuar mospërputhjen e pasurisë me të ardhurat e personave të dyshuar si të implikuar në një trafik të mundshëm, prokuroria duhet të ketë bindjen e plotë se këto pasuri janë vënë në mënyrë të dyshimtë, kriminale. Megjithatë, individët e hetuar do të kenë barrën e provës nëse prona është vënë në mënyrë të ligjshme apo jo. Puna e prokurorisë konsiston në mbledhjen e disa provave, ndërsa kanë filluar kërkesat e para në hipoteka dhe në bankat e niveleve të dyta. Prokuroria duhet të kërkojë për një të dyshuar në 24 banka dhe 7 zyra të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Pas mbërritjes së përgjigjeve fillon një hetim gjyqësor për sekuestrimin e tyre dhe në një fazë të dytë nis konfiskimi i tyre mbi bazën e “Ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, pagëzuar si ligji “Antimafie”.
#