Lushnjë, në pranga dy të kërkuar
Dy persona të kërkuar prej policisë së Lushnjës janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Njëri prej tyre ka qenë i kërkuar për vjedhje, ndërkohë që i arrestuari i dytë ishte dënuar me gjobë si autor i një aksidenti të rëndë. Në pamundësi për të shlyer gjobën, është marrë vendimi që masa e saj t’i konvertohej me burg. Burimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë pohojnë se në orën 13:00 të së shtunës kanë arrestuar 37-vjeçarin Miri Likja, lindur e banues në Lushnjë. Sipas burimeve të policisë, Likja është dënuar me katër muaj burg për veprën penale të vjedhjes. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Vlorë. Prej gjashtë muajsh, Miri Likja ishte shpallur në kërkim, ndërsa në rrugë operative policia ka marrë informacion për vendndodhjen e tij dhe pas nisjes së aksionit ka mundur ta arrestojë në banesën e tij. Ndërkohë, mesditën e së shtunës nga uniformat blu të policisë Lushnjë është arrestuar 26-vjeçari Ilirjan Doçi, lindur dhe banues në fshatin Gradishtë të komunës me të njëjtën emër në rrethin e Lushnjës, i dënuar me një gjobë prej 400 mijë lekësh. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë e ka zëvendësuar këtë masë dënimi në 80 ditë burg. Doçi është autor i një aksidenti të rëndë të ndodhur në fund të vitit 2009.
#