Nesër, mbledhja e tretë për ndryshimin e Rregullores
Nesër mblidhet sërish Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve të Kuvendit, për të përfunduar miratimin dhe kalimin në diskutimin parlamentar të dy neneve të ndryshuara të rregullores. Javën e kaluar, këshilli u mblodh dy herë, por nuk arriti të miratojë propozim-draftin e paraqitur. Kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, ktheu në draft angazhimin e mazhorancës, të marrë në mbledhjen e së hënës të grupit parlamentar të PD-së, për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Të mërkurën, më 2 qershor, është mbledhur Këshilli i Rregullores, i cili vendosi ndryshimin e dy neneve të ligjit që rregullon veprimtarinë e legjislativit shqiptar. Kështu është hequr një nga pjesët më të rëndësishme në këtë rregullore, i cili bën votimin në mënyrë të hapur të të gjithë dekreteve të Presidentit. Me vetëm 3 nene, vendimi për ndryshimin e Rregullores thekson se: 1 - në nenin 58, pika 2 hiqen fjalët “për emërim dhe shkarkim ministri”, në nenin 2 theksohet se në nenin 11, pika 6, ndryshohen fjalët brenda ‘tre javëve’ bëhen ‘brenda tetë javëve’ dhe neni 3 bën të ditur se ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Në draftin aktual të Rregullores së Kuvendit theksohet se “votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të buxhetit të shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të”. Por me ndryshimin e bërë dje, Rregullorja e Kuvendit has një përplasje me nenin 60 të saj ku theksohet se “votimi i fshehtë bëhet për çështje që kanë të bëjnë me personat. Votimi i fshehtë, përveç rasteve kur nuk lejohet të kryhet sipas Kushtetutës, ligjit ose kësaj Rregulloreje, mund të kërkohet nga të paktën shtatë deputetë dhe vendoset me votim nga Kuvendi.
#