E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia shqiptare rol kryesor në miratimin e rezolutës për Kosovën

26/05/2009  Në Organizatën e Konferencës Islamike triumf i Shqipërisë ndaj politikës serbe

Një betejë e nëndheshme është zhvilluar prej më se tre muajsh ndërmjet diplomacisë shqiptare dhe asaj serbe, e cila ka përfunduar ditën e djeshme me fitoren decizive të diplomacisë shqiptare. Kjo e fundit ka arritur që në Damask të Sirisë, në Sesionin e 36-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike, që mbylli punimet më datë 25 maj, ku merr pjesë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë i kryesuar nga Ministri Lulzim Basha, të marrë konsensusin e 57 vendeve anëtare të Organizatës për një rezolutë në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës.

Në seancën përmbyllëse të takimit të zhvilluar dje paradite u miratua rezoluta e iniciuar nga Shqipëria, në të cilën evidentohet qartë se që nga shpallja e pavarësisë më datën 17 shkurt 2008 Republika e Kosovës ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike, ka kushtetutën e saj moderne, ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-t që në sesionet e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në axhendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj rezolute me unanimitet dëshmon për një momentum të ri në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, që vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme të Kosovës nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjes së saj nga Mbretëria e Bahrejnit dhe Unioni i Komoreve vetëm pak ditë më parë. Burimet nga punimet e sesionit të Damaskut bëjnë të ditur se pas këtij momentumi të ri, pritet një bum njohjesh të shtetit të ri Kosovës nga vendet e OKI-t.

Nga burime të besueshme diplomatike bëhet e ditur se diplomacia shqiptare ka qenë tepër aktive në funksion të miratimit të rezolutës për Kosovën. Me të dërguarit e saj specialë në Damask, në Xhedah dhe në disa vende të tjera të rëndësishme të OKI-t, Shqipëria është angazhuar prej më shumë se tre muajsh në një operacion të nëndheshëm diplomatik të përmasave të mëdha me qëllim miratimin e një rezolutë në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës. Mësohet se diplomacia shqiptare është markuar në vijimësi nga ajo serbe me qëllim bllokimin e kësaj iniciative. Kjo kulmoi me vizitën e 10 ditëve më parë të ministrit të Jashtëm Jeremiç në Damask dhe takimeve të tij me autoritetet më të larta të Sirisë, e cila mbante presidencën e radhës së OKI-t. Jeremiç ka kërkuar bllokimin e rezolutës dhe pjesëmarrjen e Serbisë me të drejtën e fjalës, duke pretenduar madje edhe marrjen e statusit të vëzhguesit. Edhe një herë janë vënë në lëvizje mekanizmat e dy diplomacive, të Tiranës dhe Beogradit, të cilat kanë lobuar ethshëm në drejtime krejtësisht të kundërta për të marrë mbështetjen e anëtarëve të OKI-t. Burimet diplomatike janë tepër të rezervuara për të dhënë detajet e kësaj faze vendimtare të betejës diplomatike. Por një gjë është e sigurt: Jeremiç dhe delegacioni serb nuk kanë qenë të pranishëm në Sesionin e 36-të të Ministrave të Jashtëm të OKI-t dhe rezoluta në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës është miratuar sot në unanimitet të plotë nga 57 vendet anëtare të Organizatës.

Organizata e Konferencës Islamike miraton rezolutën për Kosovën

Basha: Kosova shtet që garanton siguri në rajon

Miratimi i dokumentit vjen pas lobimit të diplomacisë shqiptare

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka vlerësuar maksimalisht miratimin e rezolutës për Kosovën në Sesionin e 36-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme i Organizatës së Konferencës Islamike. Ministri Basha, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm përmes kontakteve dhe lobimit në vendet anëtare të OKI-t, ka theksuar se kjo rezolutë vlerëson arritjet e Kosovës në planin kushtetues dhe institucional. Sipas tij, kjo përbën një arritje që do të ketë efektin e saj në njohjet e reja për shtetin e Kosovës nga vende të ndryshme të kësaj Organizate. “Rezoluta paraqet të gjitha pikat që pala shqiptare dëshironte të paraqiste, konsiderimet për pavarësinë e Kosovës, konsiderimet për avancimin dhe progresin e demokracisë në Kosovë, konsiderimet për anën ligjore, pra për Kushtetutën kosovare. Përbën një sukses të diplomacisë shqiptare, një sukses të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, - ka deklaruar ministri i Jashtëm shqiptar. Kryediplomati Basha gjatë sesionit ka deklaruar se që nga 17 shkurt 2008 Kosova është bërë dëshmitare e zhvillimeve rrënjësore drejt progresit, pasi tashmë është e lirë dhe e pavarur. Për Bashën liria e shtetit më të ri në botë ka krijuar një klimë të re, që rrezaton paqe dhe stabilitet në fushën e sigurisë, të ekonomisë, të marrëdhënieve ndëretnike etj., jo vetëm në Kosovë, por edhe në krejt rajonin. Ai evidentoi progresin që ka njohur Kosova në të gjitha fushat. “Institucionet demokratike dhe sundimi i ligjit janë në rrugën e forcimit dhe konsolidimit. Funksionalizimi i EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës është një garanci shtesë për vazhdimin e kësaj rruge”, - ka thënë Basha.

Kryeministri Berisha për rezolutën

Akt miqësor ndaj Kosovës e kombit shqiptar në tërësi

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur rezolutën për Kosovën, të miratuar në takimin e djeshëm të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike. Shefi i ekzekutivit shqiptar e ka vlerësuar vendimin e OKI-t si një akt historik të mbështetjes së 62 vendeve anëtare të saj për pavarësinë e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Në njoftimin për shtyp të publikuan në faqen zyrtare të Kryeministrisë në internet theksohet se kreu i qeverisë së Shqipërisë “falënderon përzemërsisht qeveritë e vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike dhe drejtuesit e kësaj organizate për votimin e rezolutës, si një akt miqësor ndaj një populli mik, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi”. Vetë rezoluta e votuar nga të gjitha vendet anëtare të OKI-t, përfshirë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, demonstron se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm dhe njohja ndërkombëtare e saj është një proces i pandërprerë. Në tekstin e rezolutës thuhet se shteti i ri i Kosovës ka kushtetutën e tij moderne dhe ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë dokument u bëhet thirrje vendeve anëtare të OKI-t dhe bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-t që në sesionet e radhës të ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu shtetin më të ri të Evropës në axhendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Deri tani Kosova është njohur nga 60 shtete, 13 nga të cilat vende të kësaj organizate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›