E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i ambasadoreve Partite larg veprimeve te paligjshme

Zhvillimi i zgjedhjeve të 8 majit bazuar në standarte demokratike është përsëritur njëzëri nga presidenti i vendit dhe tre ambasadorët e akredituar në Tiranë. Presidenti Topi, ambasadori amerikan Arvizu, ambasadori i BE-së Sekui dhe ambasadori i OSBE-së Volfart gjatë një takimi me stafin pedagogjik dhe studentët e universitetit të Vlorës kërkuan distancimin e partive politike nga veprimet e paligjshme gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve.

“Shpesh na ndodh të ndihemi të lodhur nga tranzicioni, nga partitë dhe nga konflikti i tyre permanent. Nga fjalimet boshe dhe mosmbajtja e premtimeve. Dita e zgjedhjeve na jep mundësinë që më 8 maj të gjithë së bashku të shkojmë në votime”- tha presidenti Topi.

“Duke patur parasysh mënyrën se si u miratua buxheti në SHBA vlerësoj se bashkëpunimi mes klasës politike do të sjellë më shumë zhvillim. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për optimizëm”- tha Aleksandër Arvizu, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
 
“Fjalët për qetësi nga partitë politike të përmbushen. Partitë të distancohen nga veprime të paligjshme. Është mjaft e rëndësishme që qytetarët të votojnë të lirë dhe të shprehin dhe opinionet dhe kritikat e tyre”- tha ambasadori i BE-së, Etore Sekui.

“Është koha që kandidatët të shprehen se si do ta ndryshojnë zonën e tyre dhe jo të bëhen pre e qëndrimeve të partive politike”- u shpreh ambasadori i OSBE-së, Volfart.

Presidenti Topi i shoqëruar nga tre ambasadorët Arvizu, Sekui, Volfart kanë inaguruar në qytetin e Vlorës zyrën e 2 të informimit të BE-së në Shqipëri.

Festim Llanaj                     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›