Apeli rrëzon Prokurorinë e Përgjithshme, fiton Toma e Teliti
Gjyqtari Bushi la në fuqi vendimin e kolegut Sokol Tona. Prokuroria kërkoi nga gjykata rrëzimin e vendimit të ndërmjetëm për shpalljen e moskompetencës
Apeli rrëzon për të disatën herë Prokurorinë e Përgjithshme. Bëhet fjalë për lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga gjyqtari Sokol Tona, i cili urdhëronte organin qendror të akuzës të ndërpriteshin hetimet për rrugën Durrës-Kukës dhe dosja të kalonte për gjykim në Gjykatën e Lartë. Procesi për shqyrtimin e kërkesës zgjati disa orë, fillimisht me kërkesën e gjyqtares Zeqine Sollaku për dhënien e dorëheqjes nga gjykimi i kësaj kërkese, pasi në kohën që kanë nisur hetimet, prokuror i përgjithshëm ka qenë bashkëshorti i saj Theodhori Sollaku. Pasi kjo dorëheqje u pranua nga kreu i gjykatës, Metush Saraçi, në trup gjykues u fut së bashku me Dalip Bushin e Tom Ndrecën edhe gjyqtari Seit Xhoxhaj. Gjatë shqyrtimit të kërkesës së Armand Telitit dhe Andi Tomës për ndërprerje të hetimeve, duke kundërshtuar kërkesën e prokurorit Arben Kraja për zgjatje edhe një muaj të afatit hetimor, rreth një muaj më parë, gjyqtari Sokol Tona vendosi të pranonte kërkesën e dy ankuesve. Me një vendim të ndërmjetëm, gjyqtari Tona ka rrëzuar edhe pretendimin e përfaqësuesit të akuzës se kjo gjykatë nuk ishte kompetente për shqyrtimin e kërkesës. Ky vendim i ndërmjetëm ka qenë objekt i apelimit të prokurorisë, e cila gjatë seancës së djeshme gjyqësore të drejtuar nga gjyqtari Dalip Bushi, kërkoi prishjen e vendimit dhe dërgimin e kërkesës për gjykim në gjykatën kompetente, që sipas tyre, është Gjykata e Lartë. Pas prokurorëve Kraja e Kaloçi, fjalën e ka marrë avokati Genc Gjokutaj, i cili është ndërprerë disa herë nga gjyqtari Bushi gjatë sqarimit të pretendimeve të tyre lidhur me kundërshtitë e akuzës. Sipas avokatit Gjokutaj, dy klientët e tij nuk janë me funksionet që Gjykata e Lartë gjykon, as deputetë dhe as ministra, ndërkohë që lidhur me kërkesat procedurale gjatë hetimit, Shkalla e Parë është plotësisht kompetente për shqyrtimin, ndërkohë që ekziston edhe një praktikë e Gjykatës së Lartë në rastin e çështjes “Gërdeci”. Pasi ka dëgjuar palët, prokurorinë që kërkoi prishjen e vendimit të ndërmjetëm për shpalljen e kompetencës dhënë nga gjyqtari Tona dhe fjalën e fundit të avokatit për lënien në fuqi të vendimit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Dalip Bushi, Tom Ndreca dhe Seit Xhoxhaj u tërhoqën për vendim në dhomën e këshillimit. Pas 10 minutash, gjyqtari Bushi shpalli vendimin duke deklaruar se linte në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtari Tona për ndërprerje të hetimeve dhe dërgimin e dosjes në gjykatë.
Kërkesa
Zeqine Sollaku jep dorëheqjen, bashkëshorti, ish-prokuror i përgjithshëm
Zeqine Sollaku paraqiti dorëheqjen disa minuta pasi u deklarua i hapur shqyrtimi gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme që kërkonte prishjen e vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Tiranës për kompetencën e gjykimit të kërkesës së Armand Telitit e Andi Tomës. Sapo filloi seanca, gjyqtarja Sollaku mori fjalën dhe paraqiti dorëheqjen nga gjykimi i kësaj kërkese, pasi, sipas saj, bashkëshorti i saj ka qenë prokuror i përgjithshëm kur ka filluar hetimi për çështjen Durrës-Kukës. Pasi ka administruar kërkesën e gjyqtares dhe palët kanë rënë dakord për këtë dorëheqje, trupi gjykues u tërhoq derisa kryetari i Gjykatës së Apelit mori vendim për pranimin e kërkesës së Zeqine Sollakut dhe zëvendësimit të saj me gjyqtarin Seit Xhoxhaj.
Prokuroria
Kërkojmë prishjen e vendimit, jo pse zvarritëm hetimin
Shkëmbimi i replikave mes trupit gjykues dhe prokurorëve dhe trupit gjykues dhe avokatit Gjokutaj ka qenë një ndër elementët e procesit të djeshëm. Gjyqtari Bushi i është drejtuar prokurorit që përfaqësoi akuzën, Luan Kaloçi, lidhur me kërkesën e paraqitur prej tyre, se përse kërkonin vetëm prishjen e vendimit të ndërmjetëm dhe jo të gjithë vendimit. Prokurori u shpreh se nëse prishet ky vendim i ndërmjetëm, për pasojë edhe vendimi i marrë pas tij prishet vetvetiu. Ndërsa, lidhur me faktin nëse janë zvarritur hetimet dhe përse ka ndodhur kjo gjë, prokurori u shpreh se ata kërkojnë prishjen e vendimit për moskompetencën dhe caktimin e gjykatës kompetente për shqyrtimin e saj, sepse nuk mund të japë më tepër shpjegime rreth këtij fakti. Sipas prokurorit, le të jetë gjykata kompetente që të vendosë për zvarritjen e hetimeve dhe jo Gjykata e Tiranës, sepse nuk dihet se si do përfundojë dosja pas këtyre zvarritjeve. Replika janë shkëmbyer edhe mes trupit gjykues dhe avokatit, të cilit disa herë iu ndërpre fjala gjatë parashtrimit të argumenteve të tij. Avokati Gjokutaj u shpreh se duhej të lexonte gjithçka kishte përgatitur për klientët e tij, duke e argumentuar me ato që kishte shkruar në letër dhe në bazë të Kodit Penal e Kushtetutës.