Berisha: Votë historike
Kyreministri: I dhamë goditje komunizmit
“Me votimin e ligjit Parlamenti bëri histori”
Kryeministri Sali Berisha ka bindjen e plotë se me votimin në Kuvend të ligjit për hapjen e dosjeve, mazhoranca parlamentare i dha një goditje komunizmit dhe krimit politik. Që nga Rrepsi, ku dje inspektoi punimet e rrugës Rrëshen-Kalimash, Kryeministri bëri të qartë se miratimi i ligjit të dosjeve është një fitore historike. Sipas tij, shqiptarët mund të shohin drejt vlerave të demokracisë, drejt integrimit, ndaj Parlamenti ka bërë historinë. “Vota në Parlament është një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik”, - u shpreh Kryeministri nga zona e Thirrës rreth 150 km larg Tiranës, ku po vizitonte punimet e segmentit Rrëshen-Kalimash. Sipas tij, "seanca e votimit tregoi se ishte një domosdoshmëri absolute, krejt e vonuar, por që tashmë u realizua". Dy ditë më parë, Kuvendi miratoi në parim me 74 vota ligjin për lustracion, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim. Kryeministri Sali Berisha përgjatë diskutimeve të projektligjit për pastrimin e figurave publike i bëri të qartë opozitës se mandati nuk mund të qëndrojë mbi krimin. Në një vend të lirë dhe demokratik, sipas Kryeministrit, një gjë e tillë as nuk mund të imagjinohet. Ndërkohë pretendimit të opozitës se ky ligj do të prekë sistemin e drejtësisë pasi përfshin në të dhe gjyqtarët dhe prokurorët kryeministri i përgjigjet duke thënë se do të preken vetëm ata që kanë bërë krime. “Ka një kod etik, një integritet që duhet të kesh për të mbajtur atë karrige. Këta persona, për të cilët jo pa qëllim “fryhet” shifra e tyre, unë them se në drejtësi ata janë një numër fare i kufizuar. Unë nuk i bëj aspak përgjegjës ata për “malin” e kockave dhe shpirtrave të pafajshëm, por këta janë të implikuar dhe kanë mbetur atëherë si simbol”, - tha z. Berisha. “Secili prej tyre, - shtoi ai, - ka raste të implikimit dhe kanë pasur fatin e keq në diktaturë të kryejnë krimet që kanë kryer, kanë pasur fatin e keq sot të gjenden simbol i krimeve të komunizmit. Por gjithnjë duke vënë në dukje se nuk ka as burg, as hakmarrje”. Sipas kreut të qeverisë këta janë një grup i vogël njerëzish të lidhur me akte varje njerëzish, me tela me gjemba e të zvarritur në qytete. Në këtë moment ai shtron pyetjen “kush është ai që mund t’i thotë këtij kombi se ti meriton vetëm drejtësinë që bëjnë ata?” Në këtë pikë Berisha thekson se “kjo është e pakonceptueshme”. “Ne meritojmë një drejtësi të trupave gjykues, të bazuar në integritetin e tyre të plotë moral dhe të tillë në këtë aspekt, pra, të paimplikuar, janë mbi 95 - 96 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. A mund të ketë ligj në botë që t’i përligjë karriget që të vendosen mbi malin e kockave dhe shpirtrave, vuajtjes, sakrificës, torturës?”, - ngulmon ai në qëndrimin e tij. Ndaj, Kryeministri e cilësoi votën në Parlament pro hapjes së dosjeve, si një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik.