Berisha: Në pranverë, shqiptarët ecin mbi Durrës-Kukës
Kryeministri fluturon mbi rrugën kombëtare
“Dhe për Durrës-Kukës, shqiptarët do të thonë: U kry”
Trajektoren e gjatë të rrugës gjigande Durrës-Kukës, Kryeministri Sali Berisha e përshkoi dje përmes flurimit me helikopter nga Tirana deri në Thirrë-Kalimash. I mbushur plot emocione, të cilat i ka përjetuar vetëm kur shkeli në pjesën tjetër shqiptare, në Kosovë, z. Berisha dha lajmin e mirë se rruga kombëtare do të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm.
I shoqëruar nga ministri i Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe deputetë të zonës, Kryeministri Berisha inspektoi punimet në tunelin Thirrë-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës. Duke iu drejtuar punëtorëve që punojnë në këtë tunel, Berisha nuk fshehu faktin se “udhëtimi më emocional në jetën time ka qenë kur unë vizitova Kosovën. Udhëtimi i dytë më emocional ishte fluturimi mbi këtë rrugë e cila ka lëshuar shtat në të gjithë trajektoren e saj”. Por duke iu referuar shprehjes të njohur që simbolizoi në 17 shkurt pavarësinë e Kosovës, “Bac u kry”, Kryeministri i Shqipërisë deklaroi: “Shumë shpejt do të jetë dita kur të gjithë shqiptarët të thonë: “U kry”. Z. Berisha përshëndeti dhe kompaninë Bechtel Enka për punën e shkëlqyer. Duke iu përgjigjur pyetjes së mediave se pse po e viziton kaq shpesh këtë rrugë, Kryeministri u shpreh "përkundrazi unë duhet ta vizitoj atë çdo javë sepse e meriton". "Do të ftoj shumë qytetarë që të vijnë ta vizitojnë, por nëse mundet ndonjëri nga ju ta bindë që të vijë edhe Edi Rama, në rast të kundërt do t'ia çojmë fotot që të mos e zërë gjumi", - tha Kryeministri Berisha. Ai inspektoi dje punimet në tunelin Thirrë-Kalimash, duke përshkuar gjithë gjatësinë e tij ku kanë avancuar punimet. Vizita e djeshme e kreut të qeverisë, është e katërta në këtë vepër gjigande infrastrukturore. Kompania Bechtel Enka po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen-Kalimash në një gjatësi prej 61 km. Puna vazhdon në të 29 urat ndërkohë që 13 ura kanë përfunduar dhe tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë ndërtuar bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për 15 ura të tjera. Ndërsa në dhjetor 2008, në segmentin e tretë ka përfunduar edhe ura më e lartë prej 80 metrash, ura 88 në krahun verior të tunelit. Nga impiantet e prodhimit janë prodhuar 526 trarë, 335 prej tyre tashmë janë të instaluar. Deri tani janë kryer 28,882 524 metër kub apo 92 për qind e gërmimeve, pa përfshirë tunelin. Në të njëjtën kohë BEJV po punon njëkohësisht në të dy hyrjet veri dhe jug paralelisht. Progresi total i gërmimeve në metër kub në të dy galeritë e tunelit llogaritet 92 për qind deri në datën 19 dhjetor. Aktualisht në firmë punojnë mbi 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme.