E Shtunë, 31 Tetor 2026

(Ar)Miqësia PS-LSI edhe në KQZ

14/07/2009  Muho-Gjonçaj thumbojnë njëri-tjetrin për pozicionet politike

Debati PS-LSI është transferuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mes përfaqësuesve të këtyre partive politike gjatë debatit për Qarkun e Beratit. Përfaqësuesi i LSI-së, Ilirian Muho, në fjalën e tij u deklarua kundër kërkesës ankimore të PS-së për rivlerësimin e votave në Qarkun e Beratit. Ai ka sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë socialistët për vjedhje të votave. “Ose PS-së i janë vjedhur votat, ose PS-ja nuk mundi të vjedhë sa donte. Ndërhyrjen e nënkryetares për të rinumëruar votat e cilësoj të pavend. De facto ankimuesit kanë hequr dorë nga kërkesa dhe po merren me kërkesën e dy anëtarëve. Ndërkohë që nuk ka asnjë shkak që të kërkohet rivlerësim”, - tha Muho. Ky qëndrim i LSI-së është shoqëruar me replika mes palëve. “Maxhoranca e re sigurisht që nuk e sheh problematikën e Beratit. Madje, habitem që përfaqësuesi i LSI-s edhe me karrige vazhdon të jetë pranë meje, pasi duhet të afrohet nga Njazi Kosovrasti”, - thumboi përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj. Ky reagim nuk është pritur mirë nga Muho, i cili ka vënë në dyshim edhe politikën e PS-së. “PS-së pas humbjes më 28 qershor i ka mbetur të bëjë vetëm gallatë apo të na përcaktojë karriget. Opozita bën mirë të mbajë vendin që i dha populli me votë dhe të bëjë një opozitë të ndershme, gjë që s’e ka bërë gjatë këtyre 4 vjetve”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›