E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfshihen edhe 11 kutitë, rezultati në Lezhë i pandryshueshëm

14/07/2009  Sot vendoset për Tiranën dhe Shkodrën

KQZ-ja vendosi dje miratimin e kërkesës ankimore të Partisë Demokratike, duke përfshirë në tabelën përfundimtare të rezultatit për Qarkun e Lezhës edhe rezultatet e 11 qendrave të votimit të lëna jashtë nga KZAZ-ja nr. 37. Me ndryshimin e tabelës përfundimtare rezultati në këtë qark mbetet po ai, pra PD-ja me 4 mandate dhe PS-ja me 3 mandate. Diskutimi për këtë kërkesë ankimore ka kaluar me 7 vota “pro” të komisionit, por nuk ka kaluar pa ironi deri dhe një gjuhë jashtë etikës institucionale mes kryetarit të KQZ-së dhe nënkryetares Subashi. “Ju jeni të politizuar deri në fund. Nuk ka nevojë as të qeshësh, pasi jeni nënkryetare e KQZ-së dhe nuk ju shkon as për moshën, as për eksperiencën”, - iu drejtua kryetari Ristani nënkryetares Subashi. Lidhur me çështjen ankimore gjatë prezantimit të çështjes përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, kërkoi kundërshtimin e vendimit të ndërmjetëm të KZAZ-së nr. 37 dhe ndryshimin e vendimit për nxjerrjen e rezultatit të Qarkut të Lezhës. “KZAZ-ja nr. 37 ka pasqyruar vetëm 90 qendra votimi nga 101 që ka gjithsej kjo KZAZ. Qendrat e votimit janë marrë të rregullta në dorëzim dhe janë dorëzuar të rregullta, si dhe janë tabuluar rezultatet, janë konfirmuar nga sekretari dhe janë dërguar elektronikisht në KQZ. Por KZAZ-ja nuk i ka përfshirë rezultatet e këtyre kutive në rezultatin përfundimtar”, -kërkoi ai. Ai propozoi edhe marrjen e sanksioneve ndaj komisionerëve, duke i përjashtuar nga administrata për zgjedhjet e ardhshme. Nënkryetarja Subashi për këtë kërkesë u deklarua pro, duke rikonfirmuar qëndrimin e saj të para disa ditëve. “Lidhur me 11 tabelat unë kam votuar që ato të përfshihen të rezultatin e kësaj zone zgjedhore. Lidhur me kërkesën tjetër të shtuar i përket KQZ-së që për gjithkund ku ka ndodhur pengimi i procesit të merren masa”, - tha Subashi. Po dje KQZ-ja miratoi 14 mandatet e Qarkut të Elbasanit, nga të cilat 7 janë fituar nga Partia Demokratike dhe 7 nga Partia Socialiste. Gjatë mbledhjes së sotme komisioni do të merret me kërkesat ankimore të subjekteve zgjedhore për Qarkun e Tiranës dhe atë të Shkodrës. Rezultati i Tiranës është animuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Probleme në procesin e votimit dhe numërimit të votave për këtë qark janë paraqitur në KZAZ nga 55 deri te 60, ku përfshihet zona e Paskuqanit, Rrogozhinës, Kavajës, Kamzës dhe Ndroqit. Ndërsa rezultati i Qarkut të Shkodrës është ankimuar në KQZ nga të dyja forcat kryesore politike - Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›