E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët para zgjedhjeve nuk janë as me Salën, as me lalën (Edin)

Orhan ZARSHATI
Edi Ramën e mbiquajtëm lalë (fjalë me origjinë perse: lalâ, ka kuptimin e një personi i cili kujdeset për fëmijën, ose vëllain e vogël të një dinjitari), ashtu siç i thonë vëllait më të madh në Shqipërinë e Mesme, sepse lalë Edi(jo lalë Gjoni), si kreator i politikës së re, po përpiqet të mbledhë e të kujdeset për sa më shumë të rinj rreth vetes, që ti mbajë ata nën sqetullën e tij dhe të PS-së, për të shkuar drejt rrugës së ndritur të mrekullisë sociale. Sali Berisha dhe Edi Rama, në këtë periudhë të nxehtë parazgjedhore, janë shpallur i pari si shpëtimtar dhe i dyti si kujdestar të popullit që pret pas zgjedhjeve ditën e bekuar të mirëqenies së lakmuar europiane. Që të dy thonë se do ti fitojnë zgjedhjet e 28 qershorit, sepse Vincere aut mori!, fito ose përndryshe vdis, është sllogani i tyre i preferuar, si kundërshtarë të egër politikë që janë. Këta dy kryeliderë, shihen përditë në ekranet e televizorëve. Saliu e ka modus vivendi et operandi (mënyrë jetese e veprimi), daljen e përditshme dhe të mërzitshme ekraneve, që kur ishte Presidenti i parë demokrat i Shqipërisë; kurse Edi, si më i riu që nuk mbart mbi supe mëkatet e Saliut të vjetër (1996-97, 1998, Gërdeci etj.), del ekraneve për të marrë bekimin e popullit fshatar e qytetar, si benefaktor i ardhshëm. Analistët dhe opinionistët japin shumë mendime e bëjnë shumë komente me brendi të sofistikuar, për dukuri të thjeshta e monotone të jetës dhe ngjarjeve në Shqipëri. Por populli i thjeshtë këto gjëra nuk ka nevojë ti mësojë nga mediat, ku shkruajnë apo shfaqen analistët e opinionistët! Frika, tashmë maniakale, nga manipulimi i përfundimit të zgjedhjeve, për të cilën çirren politikanët (mbasi ata e dinë dhe e njohin mirë këtë paudhësi) dhe janë të shqetësuar qytetarët e thjeshtë, ka bërë atë që shumë shtetas nuk duan të shkojnë në zgjedhje. Sondazhet nuk mund të ekstrapolohen mbi të gjithë masën e shtetasve qe kanë të drejtën e votës, sondazhet me të drejtë shikohen si të vështrime të pavlefshme. Fushata elektorale, natyrshëm rrok shumë çështje e probleme, që kanë shumë komponente. Psh problemi i dhimbshëm i kthimit dhe i kompensimit të pronave, më parë nga socialistët dhe Edi Rama, shihej si jashtë axhendës së tyre politike; kurse tani e kanë modifikuar qëndrimin dhe thonë se do ta kenë në konsideratë. Ndërsa Sali Berisha mburret se e ka vënë në vijë këtë problem dhe thotë se 98 për qind e pronarëve janë me të dhe i besojnë atij; megjithëse këtë kërkesë madhore të demokracisë, Partia Demokratike deri më sot e ka bërë çorap. Para zgjedhjeve politikanët i vejnë theksin problemeve të varfërisë, punësimit, energjisë (Saliu për TEC-e me qymyr dhe Centrale Bërthamore), furnizimit me ujë, mjedisit, bujqësisë dhe zonave rurale, shëndetësisë, arsimit, emigracionit dhe rinisë. PS me gojën e Edi Ramës, flet për ngritjen e një ministrie të çështjeve rurale; ndërsa PD me gojën e Sali Berishës, thotë se ka marrë fund njëherë e përgjithmonë braktisja e zonave rurale. Por as socialistët, që nuk bënë asgjë për 8 vjet dhe as demokratët, që nuk i mbajtën premtimet; nuk kanë bërë diçka të ndjeshme për zhdukjen e varfërisë, dhe nuk i kanë mbajtur premtimet paraelektorale të vitit 2005. Politikanët përpiqen ta bëjnë për vete rininë dhe duke akuzuar njeri tjetrin thonë se palës kundërshtare i kanë dështuar politikat sociale për rininë.Dikur edhe Fatos Nano,që tani nuk ndihet dhe nuk dihet se me çfarë merret, fliste e premtonte shumë për rininë; kurse sot takohen e mbajnë ligjërata para tubimeve dhe forumeve të rinisë: Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Erion Veliaj, Petro Koçi, Genc Ruli, Blendi Klosi, Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, madje edhe Dashamir Shehi i Polit të Lirisë. Fushata elektorale nuk të lejon në asnjë mënyrë të harrosh rininë! Sidomos për tu psalltur të rinjve programet e bukurqendisura të partive konkurruese. Genc Ruli nënvizon se politika e PS-së nuk mund të konsiderohet si politikë e re, nga që mbledh në tubime të rinjtë. Por ulëritësit Erion Braçe dhe Taulant Balla, ngulmojnë për të kundërtën. Dhe kështu shqiptarët,ndodhen para një lumi kundërshtish politike, çka i bën ata edhe më indiferentë për të marrë pjesë në votime. Mbas 18 vjet që Shqipëria po qeveriset nga një sistem kuazidemokratik, populli e ka më se të qartë bindjen se politikanët luftojnë vetëm për karriget e tyre, për të patur maksimumin e përfitimeve të gjithanshme materiale. Publiku me nivel intelektual mesatar, ose ndën të, që shfaqet çdo ditë mëngjeseve në emisionin Koha për tu zgjuar të Bashkim Hoxhës, në Neës 24, ankohet shumë e shpreh dhembjen e thellë për gjendjen në të cilën ndodhet vendi, duke bërë shkaktar politikanët dhe veprimet e tyre të mbrapshta. Sjellja e tyre, shihet nga populli si rrjedhojë e shpirtit meskin e egoist dhe e mendësisë retrograde, që i prin ata në kryerjen e detyrës ndaj vendit. Kjo duket e bije në sy nga veprimtaria e politikës në Parlament. Populli kërkon të dijë a do ti sjellin gjë Shqipërisë zgjedhjet politike të 28 qershorit, mbas anëtarësimit në NATO dhe aplikimit për tu pranuar në BE? A do të jenë ato zgjedhje të lira dhe të ndershme siç pretendohet nga politikanët tanë të mazhorancës, për të justifikuar aspiratën për integrimin euroatlantik të vendit? Opozita ven pikëpyetjen e madhe për shkak të konfuzionit me kartat e identitetit dhe realizimit të objektivit të pajisjes së popullit me to deri ditën e zgjedhjeve. Nejse punë e opozitës thotë PD me gojën e liderit, por edhe të Aldo Bumçit dhe të Ferdinand Xhaferit! Por në kushtet e krizës botërore financiare-ekonomike dhe ndikimin që duket se do të jetë tronditës për ekonominë e vendit tonë, megjithë opinionet dhe analizat e shumta të ekspertëve tanë, si nga mazhoranca, ashtu dhe nga opozita nuk po shohim një program konkret masash për përballjen e ekonomisë shqiptare me krizën botërore dhe mënjanimin e pasojave të saj. Përveç deklarimeve euforike të liderit omnipotent të PD-së për rritje ekonomike dhe marrjes së kredive të mëdha tregtare, që nuk ka mundur ti marrë asnjë vend tjetër nga mazhoranca shprehet bindja se Shqipëria do të jetë një eldorado ekonomike në Europën Juglindore, me indeks të lakmueshëm të rritjes ekonomike vjetore. Ndërsa opozita shpreh mosbesimin dhe pesimizmin për ekonominë e vendit në kushtet e krizës botërore, dhe është njëfarë schvarzseher-i, dmth që e sheh situatën vetëm zi dhe pa asnjë perspektivë; gjë që natyrisht nuk është e drejtë. Kuptohet se çfarëdo mrekullie ekonomike të arrijë  mazhoranca në pushtet, Shqipëria nuk mund tia kalojë për hov zhvillimi ekonomik 5 dragonëve të Lindjes së Largme: Singaporit, Malajzisë, Taivanit, Hongkongut dhe Koresë së Jugut! Por Astrit Patozi i PD-së mburret duke deklaruar se në 2005-sën kishim shpresën se ky vend do të ndryshojë, ndërsa tani thotë ai, kemi bindjen se po ndryshon. Po si dhe sa, pyesin njerëzit e thjeshtë mbi kurrizin e të cilëve, bie barra e vështirësive ekonomike, çmimeve të larta, taksave e tatimeve, papunësisë etj, pavarësisht rritjes së rrogave dhe pensioneve. Konkurrentët e garës elektorale formulojnë përkufizime për veprimet e vullnetin politik të kundërshtarëve; Edi Rama shprehet se ne jemi përtej të djathtës dhe të majtës dhe se me politikën e re (që zgjedhësit e nënkuptojnë vetëm si politikë e vjetër), duhet  të ndryshojmë politikën e derisotme për të ndryshuar qeverinë. Sali Berisha deklaron se po të votoni për të majtën keni votuar për kthimin mbrapa, duke nënkuptuar se e djathta (por që populli e kupton si të majtë, që ka veshur petkun e të djathtës), është e vetmja alternativë e progresit. Labilët e politikës 18 vjeçare, të partive të vogla, si Neritan Ceka dhe Skënder Gjinushi, përfshirë dhe ministrin anekdodik Lufter Xhuveli edhe këtë herë e vazhduan flirtin tradicional me partitë e mëdha. Ndërsa labili tjetër nga minoriteti, Vangjel Dule dhe partia e tij PBDNj (të cilët janë të pranishëm në jetën politike të vendit në sajë të dobësisë së politikanëve shqiptarë, që i nënshtrohen trysnisë së fqinjit jugor), janë në pritje se me cilin koalicion të lidhen, me atë të djathtë si deri më tani, apo koalicionin e majtë si më parë; por si gjithnjë do të jenë të pran

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›