Arjan Selimi transferohet nga Vaqari në Rrogozhinë
Arjan Selimi transferohet nga Burgu i Vaqarit, në Rrogozhinë. Shkak mendohet se janë bërë dyshimet e autoriteteve të burgut mbi të, se ishte organizator protestash e rrëmujash në burg. Megjithatë, kjo është mohuar prej tij, pasi siç ka shpjeguar për autoritetet e burgut, ai duhet të dalë shumë shpejt nga burgu dhe nuk i intereson të bëhet objekt i prishjes së interesave të tij. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bënë të ditur se transferimi i tij është bërë ditën e premte, pavarësisht se sipas Selimit, atij i ka mbetur shumë pak kohë për të vuajtur në burg. Sipas të dhënave, ai kishte organizuar protesta në Burgun e Vaqarit, duke shfrytëzuar autoritetin e tij. I arrestuari gjatë operacionit “Kompas” nuk e ka pranuar këtë, duke deklaruar se nuk kishte kryer asnjë veprim të tillë. Rreth një muaj më parë, i dënuari me 16 vite burg kërkoi ulje dënimi. Kërkesa u regjistrua në Gjykatën e Tiranës dhe shqyrtohet nga gjyqtari Arjan Aliaj. Pasi ka kërkuar që dosja e tij të rigjykohet, Selimi i është drejtuar gjykatës për t’i ulur dënimin, si pasojë e sjelljes së mirë në burg. Disa muaj më parë, Selimi ka kërkuar që dosja e tij të kontrollohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi pretendon se i kanë bërë shkelje të së drejtës, duke e dënuar për diçka që nuk e ka kryer. Ai pretendonte se Gjykata e Shkallës së Parë i ka shkelur të drejtën për procedimin me gjykim të shkurtuar, duke i mohuar në këtë mënyrë edhe uljen e dënimit që parashikohet nga ligji në një rast të tillë. Po ashtu, në kërkesat e tij drejtuar KLD-së, Selimi pretendonte se ka pasur shkelje gjatë procesit të zhvilluar në Shkallë të Parë, çka sipas tij vërtetohet edhe nga dështimi i provës së zërit. Gjatë procesit, gjykata vendosi të bënte një ekspertim të zërit të Arjan Selimit me zërin e regjistruar nga përgjimet telefonike që ishin bërë nga policia italiane. Por i dënuari nga gjykata ka deklaruar se përfundimi i ekspertizës ka vërtetuar se zërat nuk kanë qenë të njëjtë.
#