E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grupi i PS paguan kredinë e Xhindit

Ndihma

Deputetët e Partisë Socialiste kanë marrë vendimin dje që të paguajnë pjesën e mbetur të kredisë së familjes së deputetit të vrarë Fatmir Xhindi. Ky vendim vjen pas gati 1 vit nga ekzekutimi i deputetit socialist, një ngjarje që ende sot mbetet e pazbardhur. Duhet thënë se nëse nga pikëpamja njerëzore veprimi në fjalë flet për vëmendjen ndaj një njeriu që ka kontribute në PS, politikisht ai i drejton tërthorazi një akuzë të re shumicës në pushtet. Kështu, edhe në Kongresin e ditës së diel, selia rozë ka përfshirë në rezolutën e vet për situatën në vend një pikë që bën me dije se angazhimi politik për zbardhjen e ngjarjes në fjalë do të vazhdojë. Në një farë mënyre, me këtë akt PS-ja po i rikthehet çështjes “Xhindi”, që prej muajsh është mbuluar nga harresa. Premtimet e bëra nga Kryeministri për zbardhjen me çdo kusht kanë marrë trajtën e premtimeve elektorale, mbajtja e të cilave është një detyrim që zbehet me kohën. Gjithsesi, duket se selia rozë kësaj radhe do të riaktivizojë problemin në fjalë dhe me vendimin e djeshëm ka gjetur një mënyrë shumë domethënëse për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Fatmir Xhindi, deputet i vjetër i PS-së, u ekzekutua para shtëpisë së vet në Roskovec gati 2 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›