E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i hajdutëve, vlerësohen 16 oficerë

Gjatë kësaj ceremonie, 16 oficerëve të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë e Armë dhe të Seksionit të Shërbimeve Operacionale në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, iu dorëzuan Certifikata Lavdërimi për shërbime të dalluara.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm, z. Burgaj, i përgëzoi këta oficerë policie për angazhimin maksimal në organizimin me efiçencë të punës për goditjen e grupit kriminal, duke bërë të mundur  zgjidhjen e një situate shqetësuese për sigurinë e qytetarëve dhe të pasurisë së tyre. Në mënyrë të veçantë, z. Burgaj përgëzoi efektivin e operacioneve speciale, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në përballjen me grupin kriminal.

“Shpreh besimin se ashtu si deri tani, ju do të vazhdoni të punoni me përkushtim dhe ndërgjegje, për t’i shërbyer sa më cilësisht komunitetit, me qëllim për të rritur gjithmonë e më tepër standardet e rendit dhe të sigurisë publike në vend”, theksoi Burgaj.

Ndërkohë, Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, z. Sajmir Muçaj, duke falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për nderimin e oficerëve të Policisë së kryeqytetit, e garantoi atë se rezultatet dhe parametrat e punës së kësaj Drejtorie do të jenë gjithmonë në rritje.

”Ky akt, përbën një vlerësim profesional dhe moral, për kontributin dhe rezultatet në përmbushjen e detyrave tona, për sigurimin e rendit publik, parandalimin e krimit dhe goditjen e veprimtarisë kriminale. Operacioni policor i koduar “PRITJA E GJAT˔, konsistoi në zbardhjen dhe arrestimin në flagrancë të grupit kriminal të përbërë nga 6 persona, që kryente “Vjedhje me armë” të lojërave të fatit dhe kazinove në Tiranë e qytete të tjera të vendit, ku u arrit te dokumentohen 23 vepra penale, të kryera në mënyrë sistematike, për periudhën Janar-Shtator 2011. Gjatë këtij operacioni, në përballje me kriminelët, nga shkëmbimi i zjarrit u plagos dhe një nga efektivët e Policisë”, theksoi z. Muçaj.

Në fund të kësaj ceremonie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u dorëzoi 16 oficerëve të policisë Certifikata Lavdërimi për shërbime të dalluara, me motivacionin për profesionalizëm dhe rezultate të larta në finalizimin me sukses të operacionit policor për kapjen dhe arrestimin në flagrancë të disa shtetasve të akuzuar për kryerjen e disa vjedhjeve me armë në qytetin e Tiranës. /Start/

                                                                                             2011-10-11 14:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›