E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen katër zyrtarë të ALUIZNI-t

Durrës, fusnin në proces legalizimi ndërtime të ngritura pas afatit ligjor

Katër punonjës të ALUIZNI-t janë arrestuar me vendim gjykate për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion pasiv. Një hetim disa mujor është finalizuar me operacionin e koduar “Legalizimi”, i cili ka çuar në pranga katër punonjës të ALUIZNI-t të Durrësit. Të arrestuarit janë Qamil Byberi 65 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës, drejtues i Zyrës së ALUIZNI-t në Shkozet dhe me profesion teknik ndërtimi, Rexhep Kuçana 52 vjeç nga Durrësi dhe Gentiana Gjepali, 38 vjeçe, me banim në Shijak, të dy përgjegjës të Grupeve të Kontrollit të Territorit pranë kësaj zyre, si dhe Gjon Doçi 49 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës, me detyrë specialist terreni.

Të katërt akuzohen se kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim detyre. Arrestimet janë kryer mbi bazën e vendimeve të gjykatës, të cilat kanë vendosur si masë sigurie arrest me burg për tre të arrestuarit Byberi, Kuçana dhe Doçi, ndërsa për Gjepalin, arrest shtëpie. Zyra e Shkozetit përfshin lagje dhe komuna të rëndësishme në procesin e legalizimit në Durrës, duke nisur nga Plazhi, Spitallë-Porto Romano, Xhafzotaj, Gjepalaj etj. Gjatë kryerjes së funksioneve të tyre si punonjës të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit e Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale të Qarkut Durrës, të arrestuarit deklarohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën dhe akte korruptive gjatë procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Ata dyshohet se kundrejt ryshfetit kanë kryer legalizime për ndërtime të papërfunduara brenda afatit të lejuar, apo kanë legalizuar ndërtime mbi gjendjen faktike, duke i përfshirë ato në hartat elektronike për t’u dhënë mundësi klientëve në proces që të vazhdojnë përfitimin e sipërfaqeve dhe ndërtimeve të reja dhe pas vitit 2006. Në bazë të hetimit, rezulton se veprime të tilla janë kryer kundrejt shumave që varionin nga 30 mijë lekë deri në 1000 euro, në varësi të madhësisë së ndërtimit të legalizuar. Hetimet për këta punonjës kanë nisur shtatë muaj më parë, në bazë të denoncimeve të ardhura nga njerëz të ndryshëm, të cilët nuk mund të paguanin nën dorë për këtë lloj “shërbimi”. Ndërkaq, bëhet e ditur se hetimet vazhdojnë, pasi dyshohet se të tjerë persona, punonjës të kësaj agjencie, janë implikuar në këtë veprimtari. Operacioni “Legalizimi” është realizuar mbrëmjen e kaluar nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik Durrës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar, si dhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës, “Task Force”. Në kuadër të tij u bë zbatimi i urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Durrës, për ekzekutimin e katër vendimeve të Gjykatës së Rrethit Durrës, vendime që qenë marrë një ditë më parë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›