E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen shqiptarët, akuzohen për 48 vjedhje në Athinë

Greqi Brenda muajit korrik janë arrestuar tri grupe grabitësish shqiptarë

Dy shqiptarë ranë në pranga, ndërsa u shpallën në kërkim dy të tjerë, pasi akuzohen për kryerjen e 48 vjedhjeve dhe një grabitje në kryeqytetin grek. Policia u ka thënë mediave greke se katër shqiptarët ishin pjesë e një bande kriminale që kryente vjedhje në banesat e qytetarëve në disa lagje të Athinës. Mediat greke, duke iu referuar policisë, raportojnë se shqiptarët vepronin në orët e vona të mbrëmjes dhe gjuanin banesat që kishin dritaret, ose portat e ballkonit hapur. Ata, nën kërcënimin e armëve, merrni para, sende elektronike, makina etj., dhe zhdukeshin. Sipas të dhënave, grupi operonte në zonat: Haidhari, Koridhalo, Alimo, Gjeraka, Nikea, Peristeri, Agjion Anargjiron, Nea Filadhelfia, Kalithea dhe P.Faliro. Shuma totale në sende dhe në para, që mendohet se kanë vjedhur 8 muajt e fundit pjesëtarët e bandës, arrin në 350 mijë euro. Njëri prej dy të arrestuarve ishte i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike. Policia thekson se ka identifikuar edhe dy personat e tjerë të grupit.

Ky është grupi i tretë i shqiptarëve që hetohet për vjedhje dhe grabitje në harkun kohor të një muaji.
Por ngjarja më e rëndë ishte prangosja e katër shqiptarëve që dyshohej se kishin vjedhur plot 26 herë supermarketet në Athinë.

Makina të shtrenjta, pushime luksoze në Mikonos, bankete në buzukë dhe gjithçka dëshironin bënin katër shqiptarët e arrestuar nga policia greke më 13 korrik, si autorë të dyshuar të grabitjes së supermarketeve në disa qytete të Greqisë. Mediat greke raportonin se shuma e parave të grabitura brenda tre vjetësh nga banda e shqiptarëve shkon në rreth 1.5 milionë euro. Edhe pse vetëm katër persona u prangosën, policia e vendit fqinj mendon se grupi kriminal përbëhej nga shumë të tjerë, të cilët ishin kthyer në tmerri i supermarketeve. Pak pasi kishin përfunduar grabitjen e radhës në supermarket, ku kishin marrë plot 62154 euro, agjentët antikrim kanë ndërhyrë për të arrestuar në flagrancë 4 shqiptarët e moshave 26, 27, 31 dhe 34 vjeç, teksa ktheheshin në apartamentet luksoze të marra me qira në zonën e Kalamaqit, ku edhe do të shpërndanin paratë. Mediat greke, që iu referohen deklarimeve të policisë vendore, shkruajnë se hetimet çuan në zbulimin e jetës luksoze që bënin shqiptarët, makina të shtrenjta, një “Mercedes” dhe një “Porsche”, frekuentime të shpeshta në buzukë, pushime luksoze, por nuk kishin harruar të dërgonin edhe para në familjet e tyre, me të cilat janë hapur edhe disa biznese. Në shënjestrën e tyre ishin vetëm supermarkete “AB Vassilopoulos” dhe “Sklavenitis”. Sipas mediave greke, objekti i vjedhjeve të kryera kanë qenë 26 supermarkete. Pas arrestimit në flagrancë të 4 të rinjve shqiptarë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 47670 eurosh, një automatik kallashnikov, tri pistoleta, tri automjete dhe disa materiale, që grabitësit i përdornin gjatë vjedhjeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›