E përplas çiklomotori, vdes foshnja njëvjeçare
Një foshnjë ka rënë pre e një aksidenti tragjik automobilistik, kur ajo dhe halla e saj janë përplasur nga një çiklomotor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në mesditë në Leskovik dhe vogëlushja njëvjeçare L. Konica ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga përplasja e fortë. Sipas policisë lokale, aksidenti ka ndodhur dje në mesditë, kur Sh. Ajazi, 24 vjeç, ka tentuar të kalojë rrugën bashkë me mbesën e saj të vogël, të cilën e mbante në krahë. Ajo është përplasur nga një çiklomotor pa targa që drejtohej nga 24-vjeçari Mariglen Koroci. Bashkë me mbesën e vogël njëvjeçare, Sh. Ajazi ka përfunduar përtokë pas përplasjes së fortë nga mjeti që lëvizte me shpejtësi. Vogëlushja ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga përplasja fatale në asfalt. Policia që shkoi në vendin e ngjarjes, ka përcaktuar si shkak shpejtësinë me të cilën po lëvizte në qytet 24-vjeçari Maringlen Koroci, i cili është arrestuar. Ndërkohë halla e foshnjës është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spitalin civil të qytetit të Korçës.
#