E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Votimi elektronik në 2011-n për disa zona

Ministri i Teknologjisë flet për projektin që pritet të zbatohet pjesërisht në zgjedhjet e ardhshme lokale

Mazhoranca është e vendosur për të implementuar në vend votimin elektronik. Ministri për Teknologjinë dhe Inovacionin në qeverinë “Berisha”, Genc Pollo, deklaroi dje se puna për këtë projekt të rëndësishëm ka nisur dhe do të aplikohet fillimisht në zgjedhjet lokale të vitit që vjen. Pollo thekson se në zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2011, qeveria do të nisë të aplikojë në disa zona të vendit votimin elektronik, për të provuar fillimisht sesi ai do të funksionojë. “Për realizimin e këtij projekti mund të operohet në zgjedhjet e ardhshme lokale në disa komuna apo bashki të vendit. Por kjo duhet përcaktuar relativisht herët, në mënyrë që të përcaktohen shpenzimet”, tregon Pollo në lidhje me projektin, që në muajt në vazhdim pritet të marrë formë të plotë. Sipas ministrit të Teknologjisë, nuk mund të arrihet që në zgjedhjet e ardhshme ky lloj votimi të shtrihet në të gjitha zonat e vendit. Sipas tij, për të realizuar këtë projekt duhet një fushatë e madhe informuese. “Nuk kemi të bëjmë vetëm me një personel që mund të trajnohet në një afat të shkurtër, por do kemi të bëjmë me të gjithë popullsinë që voton, nga më të rinjtë, ata që mbushin moshën për të votuar për herë të parë, deri tek më të moshuarit, që kanë të drejtë të votojnë, ata duhet të mësojnë që votohet në një mënyrë të re”, shpjegon Pollo në lidhje me rëndësinë që ka njohja e qytetarëve me këtë proces. Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë 20 vjet që votojnë me fletë votimi dhe tashmë është e vështirë t’i vësh përpara një ekrani dhe një tastiere. Mazhoranca, prej pak muajsh, ka hedhur idenë e kthimit të votimit në Shqipëri në mënyrë elektronike. Ky qëndrim u bë edhe më i qartë gjatë vizitës që Kryeministri i Estonisë, zhvilloi në vend për t’u takuar me kreun e qeverisë, Berisha. Pas këtij takimi, Kryeministri Berisha theksoi se ishte e udhës që Shqipëria të ndiqte shembullin e Estonisë, e cila në shumicën dërrmuese të zonave të saj elektorale, votonte në mënyrë elektronike. Sipas kreut të qeverisë, votimi elektronik do të ishte një formë e mirë për të bërë të mundur më shumë transparencë në procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha theksoi se një vend si Shqipëria, ku procesi i votimit dhe i numërimit sillte debate të shumta, mund të aplikonte fare mirë votimin elektronik. Por ky ndryshim kërkon edhe pasqyrimin e tij në Kodin Zgjedhor dhe për pasojë, edhe konsensusin e opozitës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›