PS, rezerva për ndryshimin e mënyrës së votimit
Ideja e votimit elektronik e hedhur fillimisht nga Kryeministri Sali Berisha është pritur me rezerva nga Partia Socialiste. E përfshirë në një aksion të gjithanshëm për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, selia rozë ka injoruar thuajse fare propozimin e Berishës, duke nënvizuar se domosdoshmëri mbetet këqyrja e procesit të shkuar. Pa ndonjë qëndrim zyrtar të posaçëm, PS ka bërë të qartë se sugjerime të kësaj natyre, që synojnë t’i japin rëndësi prioritare teknologjisë së re në administrimin elektoral, mbeten më shumë nisma për të tërhequr vëmendjen. Për më shumë, që hapi i parë i hedhur në këtë drejtim, instalimi i kamerave në vendet e numërimit të votave në vitin 2009, nuk solli ndonjë përfundim entuziast për opozitën. Provat materiale të paraqitur prej saj, por edhe procedimi sipas Kodit Zgjedhor, në lidhje me ankesat, gjeti pengesa të tilla që u evidentuan si pika kritike e procesit të shkuar elektoral.
#