Përcaktohen pistat e hetimit, kërkohen gjurmët në provat e sekuestruara
Një qese plastmasi e gjetur në vendin ku u vra deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, mund t’u sigurojë të dhëna të rëndësishme hetuesve, pasi aty mendohet se mund të jenë gjurmët e gishtërinjve të vrasësit.
Pas një mbledhjeje të zhvilluar midis kryeprokurores Ina Rama, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, dhe drejtorit të hetimeve në prokurori, Sokol Stojani, u nxorën disa pista hetimi, mbi të cilat do të bazohen kërkimet për gjetjen e autorit, ndërkohë që ende nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me ngjarjen.
10 persona u morën në pyetje si dëshmitarë në komisariat pas vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda, hetuesit e policisë pas një mbledhjeje kanë ngritur edhe pistat e hetimit, ku duhet përqendruar në lidhje me këtë ngjarje. Takimi është zhvilluar në prokurorinë e Fierit për më tepër se 3 orë, ku dhe janë nxjerrë edhe pistat e pra të ngjarjes së rëndë.
Gjatë takimit u analizua ekspertiza mjekoligjore. Pas takimit është mësuar se janë identifikuar të gjitha provat e mundshme të vendngjarjes dhe mbi to janë hartuar edhe pistat mbi të cilat do të hetohet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Megjithatë, pistat e hetimit mbahen sekrete, me qëllim që të mos ndikojnë në rrjedhën e punës. Shuma prej 250 mijë eurosh që policia vuri në dispozicion për marrjen e informacioneve të nevojshme në lidhje me ngjarjen, ka bërë që të japë rezultatet e para, pasi janë dhënë detaje të rëndësishme të cilat u kanë hyrë në punë hetuesve.
Hetimet
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur, u ngrit menjëherë një grup hetimor nën drejtimin e drejtuesve të Prokurorisë për Krime të Rënda, ekspertëve më të mirë të hetimit të krimit në Policinë e Shtetit, ekspertët e laboratorit shkencor, të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të strukturave të SHISH-it. Gjithashtu, të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kanë kaluar në shërbim të përforcuar për marrjen e masave kufizuese dhe kontrolluese të territorit ku mendohet të lëvizë ose strehohet autori i krimit të rëndë. Ndërkohë që u krye këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë këmishave të predhave, sekuestrimi i një pakoje aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qeseje plastmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, të gjitha këto prova janë vënë menjëherë në dispozicion të Laboratorit Qendror Kriminalistik dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore për përpunime dhe ekzaminime krahasuese të mëtejshme shkencore.
Është hetuar dhe po hetohet hollësisht për aktivitetin e ditës së shtunë dhe më parë të viktimës.
Shpërblimi
Policia e Shtetit ka vënë një shpërblim prej 250 mijë eurosh për personin, i cili do të japë një informacion të saktë në lidhje me ngjarjen e së shtunës në mbrëmje, ku mbeti i vrarë deputeti Fatmir Xhindi. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i policisë, Klodian Branko, u shpreh se për personin, i cili do të ndihmojë në dhënien e informacioneve të sakta për zbardhjen e ngjarjes, duke çuar në kapjen e autorit, do të jepet shuma prej 250 mijë eurosh.
U vunë gjithashtu në dispozicion dy numrat e telefonit: 0694103251 dhe 0694107507 për informatorët e atentatorit.
Sipas policisë, nga informacionet e para ende nuk ka ndonjë gjë konkrete në lidhje me vrasjen e Xhindit. Kjo ka bërë që Policia e Shtetit të vërë në dispozicion edhe shumën “e majme”, për të marrë të dhëna me rëndësi.
Sipas burimeve nga policia, pas dhënies së njoftimit të policisë për të shpërblyer me 250 mijë euro personin që do të çojë në zbardhjen e ngjarjes, ka pasur një numër të madh telefonatash në numrat e vënë në dispozicion nga policia. Drejtuesit e policisë shpresojnë që duke marrë informacionet e sakta nga këto telefonata, të mund të arrihet një rezultat.
Orët para vrasjes
Sipas dëshmitarëve, pak orë para vrasjes, deputeti i Partisë Socialiste ndodhej në fshatin Kurjan. Një orë para se ai të qëllohej me gjashtë plumba, u ul për të pirë kafen në lokal. Sipas dëshmitarëve, ai ishte aty rreth orës 7:30 të mbrëmjes. Ka ndenjur me banorët e tjerë për rreth një orë, ku kanë biseduar për halle familjare dhe probleme të tjera. Dëshmitarët shprehen se ai nuk dukej i shqetësuar. Rreth orës 21:00, ai u largua nga lokali, duke u dhënë dorën miqve që kishte në tavolinë. Ndërsa gjysmë ore me vonë, u mor vesh lajmi i vrasjes së tij.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm pak metra larg banesës së deputetit, rreth orës 21:50 të mbrëmjes së të shtunës, në rrugicën e errët që lidh banesën e deputetit me Bashkinë e Roskovecit. Atentati ka ndodhur vetëm 4 metra larg banesës, pranë portës së garazhit ku do të parkonte makinën. Deputeti ka qenë duke hapur garazhin e banesës së tij për të futur automjetin tip “Benz” me portobagazh, kur është qëlluar nga një person. I ndjeri ka qenë i vetëm në makinë, duke u kthyer në banesë pas punës në pronat e tij private në zonën e Kurjanit. Trupi i deputetit është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit për t’iu dhënë ndihma e parë, por pa rezultat, pasi për shkak të plumbave të marrë nga breshëria automatike, ka humbur jetën gjatë rrugës. Ka qenë vëllai i Xhindit ai që ka gjetur trupin i pari, sapo ka dëgjuar breshërinë automatike. Ai fillimisht ka lajmëruar policinë dhe më pas është munduar t’i japë ndihmën e parë të vëllait, duke e transportuar me urgjencë drejt spitalit, por pa rezultat, pasi për shkak të plumbave ka humbur jetën. Trupi i pajetë i 49-vjeçarit ka qëndruar për mjaft orë në morgun e spitalit, me qëllim këqyrjen e kufomës së të ndjerit nga ekspertët mjekoligjorë. Sipas të dhënave të policisë, në trupin e deputetit të vrarë janë konstatuar 6 plagë, ndërkohë është qëlluar me gjashtë plumba. Nga hetimet paraprake rezulton se vrasësi ka qenë afër viktimës dhe ka qëlluar nga dy metra largësi.