E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Qeveria bllokoi projektin

Reagimi

Bashkia e Tiranës e refuzoi dje ndihmën e qeverisë për rindërtimin e sheshit “Skënderbej” në kryeqytet dhe e konsideroi Kryeministrin Berisha si gënjeshtar. Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës deklaroi se ai që po i bllokon punimet në këtë zonë është vetë Berisha. “Sot gënjeshtra lidhet me sheshin ‘Skënderbej’, që ka mbetur në atë gjendje, duke pritur në fakt prej dy vitesh që qeveria e zotit Berisha të japë lekët për shpronësimin e një segmenti të mbetur të Unazës së Vogël rreth sheshit, e cila do të garantonte qarkullimin normal të mjeteve pas mbylljes së tij për punimet”, theksoi Bashkia. Ajo insistoi se, nëse Kryeministri do të kontribuojë për Tiranën, le të zbatojë ligjin që e detyron qeverinë të bëjë shpronësimet dhe le të çlirojë fondin e premtuar prej tij para dy vitesh, për të hapur segmentin rrugor në verilindje të sheshit. Sipas saj, Bashkia ndërkohë ka bërë planin alternativ të qarkullimit dhe ka lajmëruar këto ditë fillimin e punimeve, të cilat do të nisin shumë shpejt, mbi një projekt të shkëlqyer, që transformon sheshin në një hapësirë këmbësore pa makina. “Fillimi i punimeve në sheshin ‘Skënderbej’ është çështje ditësh. Mundësia për qarkullimin e makinave pasi të fillojnë punimet është sfida për të cilën qeveria është e mirëpritur të kontribuojë me fondin e nevojshëm, për hapjen e aksit të mbetur të Unazës së Vogël, ku gjendet sot godina e INSIG-ut, siguroi zëdhënësja. Sipas saj, Tirana nuk ka nevojë për asfaltin qeveritar në sheshin “Skënderbej”, po ka nevojë për një qeveri që sillet me kryeqytetin konform ligjeve të vendit e në respekt të detyrimeve të veta kundrejt qytetarëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›