E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërohen në Tiranë e rrethe 21 prokurorët e rinj

13/10/2009  5 prej tyre largohen nga kryeqyteti. Hapen 4 vende vakante. 10 prokurorë vijnë pas stazhit

TIRANE- Janë emëruar 21 prokurorët e rinj, të cilët që prej ditës së sotshme do të ushtrojnë detyrën e tyre si përfaqësues të akuzës, në prokuroritë e ndryshme të vendit. Midis numrit të prokurorëve, 10 prej tyre mësohet se sapo kanë mbaruar shkollën e magjistraturës dhe janë në hapat e para të stazhit, ndërkohë që pjesa tjetër i ka dhënë fund këtij cikli, duke bërë që aktualisht të marrin nga Presidenti Bamir Topi, plotësisht titullin “prokurorë” të Republikës së Shqipërisë. Këto emërime kanë ardhur me kërkesë të Kryeprokurores Ina Rama, e cila pak kohë më parë i ka dërguar emrat e 21 prokurorëve në zyrën e Presidentit Topi. Ky i fundit pasi është njohur me dosjet e secilit prej tyre, ka vendosur ti japë “ok”, kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, duke dekretuar emërimin e tyre në rreth 11 prokurori të vendit. Të gjitha lëvizjet kanë ardhur në bazë të ligjit nr. 8737 që bën fjalë “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Mësohet se 5 nga prokurorët që kryenin praktikën e tyre në Prokurorinë e Tiranës, janë emëruar në prokuroritë e rretheve. Ata janë Enkeleda Millonai, e cila është emëruar në Elbasan, Manjola Kajana, emëruar në Fier, Ermir Beta, emëruar në Berat, Esmeralda Cami, emëruar në Peshkopi dhe Silvana Lule, emëruar në qytetin e Vlorës. Ndërkohë që vendin e tyre në Prokurorinë e kryeqytetit e kanë zënë prokurorët stazhierë, që janë: Elona Alvora, Ervin Beqiri, Sotir Kllapi, Kreshnik Ajazi, Rovena Bozo dhe Denisa Asko. Pritet që në ditët në vazhdim prokuroritë e disa rretheve të ndjejnë “tërmetin” e transferimeve nga një prokurori në tjetrën. Këto transferime mësohet se do të kryhen në kuadër të reformave dhe rritjen e nivelit të punës në prokuroritë e vendit. Përveç kësaj, pak kohë më parë Prokuroria e Përgjithshme ka shpallur katër vende vakant në prokuroritë e Korçës, Fierit, Durrësit dhe një në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Për plotësimin e këtyre vendeve Kryeprokurorja Ina Rama, u kërkon të gjithë të interesuarve që të paraqesin kërkesat e tyre, në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilat në një kohë të mëvonshme do të shqyrtohen dhe votohen në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë. Aktualisht afati për dorëzimin e dokumentacionit ka përfunduar dhe pritet vetëm zgjedhja e emrave konkretë që do të shërbejnë si prokurorë në 4 vendet e mbetura bosh. Ndërkaq Presidenti Bamir Topi ka dekretuar edhe shkarkimin e prokurorit Luan Dyrmishi, pas dhënies së dorëheqjes së tij nga Prokuroria e Beratit.

1. Enkeleda MILLONAI ishte në stazh Tiranë, emërohet Elbasan.

2. Manjola KAJANA ishte në stazh Tiranë, emërohet Fier.

3. Ermir BETA ishte në stazh Tiranë, emërohet Berat.

4. Esmeralda CAMI ishte në stazh Tiranë, emërohet Peshkopi.

5. Silvana LULE ishte në stazh Tiranë, emërohet Vlorë.

6. Fatmir LUSHI ishte në stazh Durrës,emërohet Shkodër.

7. Alketa NUSHI ishte në stazh Durrës, emërohet Mat.

8. Marjola MËRTIRI ishte në stazh Fier, emërohet Gjirokastër.

9. Eriselda BALA ishte në stazh Vlorë, emërohet Pogradec.

10. Julian ÇAFKA ishte në stazh Sarandë, emërohet Sarandë.

11. Shqiponja MILLA ishte në stazh Shkodër, emërohet Pukë.

Emërimet e reja

1. Elona ALVORA emërohet në stazh Tiranë.

2. Ervin BEQIRI emërohet në stazh Tiranë.

3. Sotir KLLAPI emërohet në stazh Tiranë.

4. Kreshnik AJAZI emërohet në stazh Tiranë.

5. Rovena BOZO emërohet në stazh Tiranë.

6. Denisa ASKO emërohet në stazh Tiranë.

7. Marsida FRASHËRI emërohet në stazh Durrës.

8. Gentian HABAZAJ emërohet në stazh Durrës.

9. Olger EMINAJ emërohet në stazh Korçë.

10. Albert MURÇAJ emërohet në stazh Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›