Arrestohet personi, që pengoi zgjedhjet në Shalë

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga shtetasin Makash Koçekun, i cili ka penguar zhvillimin e zgjedhjeve në komunën e Shalës, ditën e dielë. Policia ka informuar se Koçeku, është organizatori kryesor i ngjarjes. Ndërkohë që një ditë më parë, për këtë ngjarje janë arrestuar edhe 5 persona të tjerë.
Policia e Shkodrës ditën e djeshme ka arrestuar shtetasit Petrit Coli 39 vjeç, Pëllumb Mollzati 38 vjeç, Prek Kodra, 35 vjeç, Kol Gjergji, 29 vjeç dhe Mirash Rrethatori, 33 vjeç.
Sipas policisë arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi ditën e dielë në momentin kur materialet zgjedhore kanë mbërritur me helikopter, në vendin e quajtur Breg Lumi, të Komunës Shalë, pikërisht sapo janë zbritur këto materialet zgjedhore, grupe të ndryshme personash, (ku mes tyre janë identifikuar dhe 5 shtetasit e arrestuar), janë vërsulur në drejtim të komisionerëve, duke bërë kështu bllokimin e komisionerëve dhe të rrugë-kalimeve për tek qëndra e votimit, pasi nuk ishin dakord me komisionerët e caktuar për zgjedhjet vendore në komunën Shalë, Shkodër.
Si pasojë e kësaj situate u krijua një konflikt midis dy grupe personash simpatizantë të dy subjekteve politike të “Aleancës për të Ardhmen" dhe “Aleancës për Qytetarin", duke bërë të mundur pengimin me dhunë të subjekteve elektorale, për zhvillimin e rregullt, të aktivitetit zgjedhor.