Bulqizë, Nikolla takohet me kryetarin e Bashkisë

Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla mbrëmjen e sotme ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta. Takimi po zhvillohet në ambientet e bashkisë, dhe po bisedohet për grevën e minatorëve, e më konkretisht për ndihmën që bashkia mund t`i japë atyre. Keta është sensibilizuar me grevistët.
Dy ditë më parë, Këshilltari i Presidentit, Fatlum Nurja ka vizituar nga afër minatorët grevistë dhe në takimin e zhvilluar me ta, ai ka dëgjuar shqetësimin e tyre si dhe është njohur me gjendjen e rënduar shëndetësore.
Pasi ka dëgjuar problemet e minatorëve, Nurja tha në largim se situata do i paraqitet presidentit
Ndërkohë që minatorët sot kanë vijuar ditën e 9-të, të grevës së urisë dhe dy prej tyre janë larguar nga këto ambiente, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, minatorët shprehin vendosmërinë e tyre për të vazhduar grevën deri në plotësimin e kërkesave. Ata kërkojnë rritje page nga 20 në 40%, ulje të moshës së pensionit, largimin e kreut të “ACR”, si dhe përmirësim të kushteve të punës.