E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet studentja, mbante kallashnikov në dhomën e konviktit



Kishin menduar se dhoma e konviktit të vajzave në Fakultetin e Infermierisë ishte vendi më i përshtatshëm për të fshehur një automatik kallashnikov. Por, sekreti i tyre zgjati pak, pasi dikush ra në gjurmë dhe lajmëroi policinë, e cila nuk vonoi të vinte në pranga poseduesit. Një studente e vitit të dytë të këtij fakulteti dhe dy të rinj 23-vjeçarë kanë rënë në prangat e uniformave blu, pas informacioneve të siguruara nga këta të fundit në rrugë operative. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, një 20-vjeçare, studente në Fakultetin e Infermierisë, u arrestua, pasi ajo mbante të fshehur në dhomën e saj të konviktit një automatik kallashnikov. Gjithashtu, nga uniformat blu u ndaluan edhe dy 23-vjeçarë, të cilët dyshohen se janë poseduesit e armës. Në prangat e uniformave blu ra studentja me inicialet E.R., 20 vjeçe, si dhe Erkens Zeneli dhe Aleksandër Lezo. Të rinjtë u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Pas informacioneve të marra në rrugë operative, sipas burimeve zyrtare policore, forcat e komisariatit numër 4 kryen një kontroll në konviktin e Fakultetit të Infermierisë, i cili ndodhet në “Rrugën e Dibrës”.

Arrestimi

Rreth orës 23:30, uniformat blu trokitën në dhomën e studentes së infermierisë. Ata menjëherë nisën kontrollin në dhomë, ku më pas kanë gjetur të fshehur një armë automatik kallashnikov, me nr. 029586 dhe një krehër me 28 fishekë. Pas nisjes së hetimeve, ata kanë kryer arrestimin e studentes së vitit të dytë, në këtë fakultet, me inicialet E.R. Ajo është shoqëruar në ambientet e komisariatit. Më pas, nga hetimet e kryera, agjentët e policisë kryen edhe arrestimin e dy të rinjve 23-vjeçarë. Nga uniformat blu u ndaluan edhe Erkens Zeneli, lindur dhe banues në Lushnjë dhe Aleksandër Lezo, lindur në Vlorë dhe banues në Ersekë. Sipas burimeve nga policia, janë dy të rinjtë të cilët e kanë pasur armën dhe më pas ia kanë dhënë atë studentes 20-vjeçare. Nga deklarimet e kryera rezultoi se 20-vjeçarja armën e kishte marrë nga shoku i saj 23-vjeçar Erkens Zeneli. Për të riun, konvikti i vajzave ishte një vend shumë i mirë për të fshehur një armë dhe për mos t’u gjetur dot nga policia. Megjithatë, duket se të tre janë gabuar, pasi sekreti i tyre u zbulua dhe tani ata ndodhen në qelitë e paraburgimit. Të tre të rinjtë janë në pritje për të dalë përpara Gjykatës së Tiranës, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për konsumimin e veprës penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›