E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: PS të kërkojë ndjesë për 21 janarin

Arvizu citoi deputetin socialist Ben Blushi sipas të cilit nëse do të kishte më shumë deputetë në krye të protestës se 21 janarit, siç ndodhi ne demonstrimet e ditëve të mëvonshme, në të njëjtin bulevard, ndoshta nuk do të kishte patur 4 të vrarë në atë demonstratë.

“Ka shume pyetje që njerëzit kanë kur i kthehemi asaj dite të tmerrshme. Demonstrata e 21 janari ka qenë e skicuar që nga fillimi, që nuk do të ishte një demonstratë e rregullt, pasi ishte menduar për të qenë e dhunshme. Jam i zhgënjyer nga sjellja e PS-së për 21 janarin. Do të doja të kishte pasur një keqardhje nga PS-ja për rolin e saj në situatën e 21 janarit të 2011, pasi siç e tha edhe deputeti Blushi disa ditë pas asaj proteste, nëse do të kishte me shumë deputetë në krye të demonstratës, ata 4 protestues nuk do të ishin vrarë” nënvizoi Arvizu për ABC News.

Diplomati amerikan u ndal gjatë tek ngjarjet e 21 janarit dhe tek hetimet që po kryen Prokuroria për këtë çështje. “Ina Rama ka bërë heqjen e imuniteteve të deputetëve socialistë, gjë që mund të lehtësojë hetimet, të cilat duhet të vazhdojnë në mënyrë teknike dhe ligjore. Paanësia e hetimit është plotësisht në zyrën e prokurores së Përgjithshme. Ne kemi qenë të qartë për këtë. Duke parë traumën që kanë përjetuar shqiptarët më 21 janar, e vetmja mënyrë që drejtësia të shërbejë është që e vërteta të zbardhet dhe hetimi të jetë i plotë, gjithëpërfshirës dhe i paanshëm, pasi kjo do të ndihmonte në besueshmërinë e hetimit. Zyra e prokurores së përgjithshme është e aftë që të funksionojë dhe ne të kontribuojmë në mënyrë pozitive, duke ndjekur provat”, tha ai. Arvizu sqaroi edhe një herë pozicionin e FBI-së në hetimet e 21 janarit, duke thënë se, ajo ka mbështetur prokurorinë në hetimet që ka ndërmarrë ndërsa kërkoi prej organit te akuzës që të tregohet i paanshëm në punën e tij.

“Kam besim të plotë tek ekspertiza e FBI-së, pasi laboratori i saj është më i miri në botë”, shtoi. Lidhur me performancën e Prokurores së përgjithshme ambasadori amerikan theksoi se Ina Rama ia ka dalë shumë mirë duke parë edhe vështirësitë me të cilat përballet një prokuror. “Unë dhe Ina Rama kemi zhvilluar shumë biseda të gjata dhe kemi patur mendime të ndryshme, por ajo që është shqetësuese për mua është mundësia e rrjedhjes së informacionit nga Prokuroria, pasi mund të dëmtojë hetimet, Ina Rama më ka thënë se ka marrë masa për t’i trajtuar ato. Zyra e prokurorit të Përgjithshëm është e përgjegjshme dhe jep llogari për performancën e saj”, tha më tej. Lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Republikës, ambasadori Arvizu u shpreh se për këtë duhet të ketë konsultime me të gjitha palët e interesuara. /Start/

                                                                                             2012-02-02 08:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›