Arvizu, ambasadori i ri i SHBA në Shqipëri
Aleksandër Arvizu pritet të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. I propozuar nga Presidenti amerikan Barak Obama, diplomati në fjalë mbërrin në Tiranë pas një karriere të gjatë diplomatike. Ai është diplomuar në fushën e shkencave, Shërbimi i Jashtëm, në Universitetin Georgetown dhe bie në sy se nuk ka kryer shërbimin ushtarak, edhe pse ka lindur në bazën ushtarake amerikane “Amerikan Drew” (U.S. Army Camp Drew), Prefektura Gumma, në Japoni më 15 mars 1958. Një njohës i disa gjuhëve aziatike, si japonisht, koreane, tajlandisht, apo edhe khmere, Arvizu iu bashkua Shërbimit të Jashtëm në vitin 1981 dhe do të zëvendësojë në detyrën e përfaqësuesit diplomatik në Tiranë, John Withers II. Tërheq vëmendjen detyra aktuale e tij, Drejtor i Karrierës për Nivelin e Hyrjes, Zhvillimi i Karrierës dhe Emërimet (HR/CDA/EL), Burimet Njerëzore, Zhvillimi i Karrierës dhe Emërimeve, Byroja e Burimeve Njerëzore, e cila nënkupton një njohje të mirë të çështjeve administrative dhe problemeve diplomatike në tërësi. Po kështu, interes paraqesin edhe detyrat e mëparshme që pasqyrojnë një gjeografi shumë të gjerë, në vende që kanë rëndësi specifike për interesat amerikane. Phnom Penh, Kamboxhia, Seuli dhe Osaka-Kobe në Japoni janë disa prej pikave të spikatura në angazhimin diplomatik të Arvizut. Një karrierë të spikatur, ambasadori i ri e ka pasur edhe në Uashington, ku ka mbajtur postin e drejtorit të çështjeve aziatike në Këshillin Kombëtar të Sigurimit gjatë administrimit të dytë të ish-presidentit Bill Klinton. Po kështu ai ka qenë për 3 vjet zv.shef shërbimi në Bangkok të Tajlandës. Arvizu është i martuar me Anne Florence Cunningham dhe ka dy fëmijë, Yukiko dhe Hailey.
#