E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani, shumë vjet larg BE-së

Kukan: Pas pranimit të Kroacisë do të ketë një pauzë për të tjerët

Siç pritej, koha e hyrjes së Shqipërisë dhe vendeve të tjera aspirante të rajonit në Bashkimin Europian, pritet të shtyhet edhe më tej. Ideja tashmë është kthyer në një qëndrim politik, që ka dalë nga goja e grupimit të Parlamentit Europian, i cili merret vetëm me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kohën e fundit është duke u biseduar shumë në Bruksel dhe Strasburg për ndërprerjen e zgjerimit të Bashkimit Europian (BE). Fakti që konsideron se do të ketë pauzë, ka bindur edhe euro-deputetët që janë përkrahës të flaktë të zgjerimit. Anëtarët e Parlamentit Europian insistojnë që vendet, të cilat janë jashtë BE-së, duhet të kalojnë hapat e nevojshëm për integrim, që sipas tyre u kanë ngelur edhe shumë derisa të anëtarësohen. Shefi i delegacionit të Parlamentit Europian për Raporte me Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, Eduard Kukan, tha dje për “Deutsche Welle” se pas anëtarësimit të Kroacisë, për një periudhë kohore nuk do të ketë zgjerim të BE-së. Kukan tha se nuk mund paragjykojë se sa kohë do të kalojë deri në anëtarësimin e radhës të ndonjë shteti të Ballkanit Perëndimor në BE. Ai tha se këto shtete janë përcaktuar dhe po punojnë që të jenë pjesë e BE-së, porse, sipas tij, kanë edhe shumë për të bërë. “Besoj se Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova do të përparojnë dhe përfundimisht pas anëtarësimit të Kroacisë, pavarësisht pauzës që do të ketë, do të vazhdojë zgjerimi i BE-së. Por për të qenë real dhe duke gjykuar situatën në vendet kandidate, do të kalojnë edhe shumë vjet derisa ato të plotësojnë kriteret e domosdoshme për anëtarësim në BE”. Se do të ketë ndërprerje të zgjerimit të BE-së 10-15 vjet, pas anëtarësimit të Kroacisë dhe Islandës, e konfirmon edhe raportuesja për Bosnjën në Parlamentin Europian, Doris Pack. Ajo ka thënë se askush nuk është kundër zgjerimit, porse në BE, sipas saj, duke u bazuar në gabimet e kaluara, ekziston një hamendje nëse duhet vazhduar të pranohet një shtet anëtar përpara se të jetë 100 për qind i gatshëm të jetë anëtar i këtij unioni. Ndërsa raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, Jelko Kacin, ka deklaruar se nuk dëshiron të paragjykojë se kur mund të anëtarësohen komplet vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, por se shpreson që deri në vitin 2014 të paktën Kroacia të jetë anëtare, disa vende të tjera të kenë filluar negociatat për anëtarësim. Kacin ka thënë se edhe pranimi i statusit të kandidatit nuk do të thotë shumë, duke aluduar tek Maqedonia, e cila, sipas tij, e ka fituar këtë status para pesë vjetëve dhe ende nuk i ka filluar negociatat. Ndërkaq, presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, ka deklaruar dje në Bruksel, se vjen në Ballkanin Perëndimor për të konfirmuar se stabiliteti dhe integrimi europian i këtij rajoni mbesin me rëndësi vendimtare për Bashkimin Europian dhe se ky do të jetë mesazhi që do ta sjellë gjatë vizitës së paralajmëruar për javën që vjen. Në turin e tij të kësaj vizite, kryetari i KE-së, Herman van Rampuy, do të qëndrojë në Lubjanë, Zagreb, Beograd e Prishtinë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›