Montobio: Kriza politike, me pasoja negative
Kriza politike në Shqipëri ndikon në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian. Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, deklaroi dje, pas nënshkrimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve, se situata aktuale është e vështirë dhe se ajo ka pasoja. “Dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vlerësim pozitiv, që ministri Meta u bën përpjekjeve tona. Ka qenë ushtrimi i një presidence në kushte të veçanta, sepse Shqipëria ka qenë dhe është në një moment të vështirë që dëshirojmë ta kalojë, mbi të gjitha për veten e saj dhe për një të ardhme më të mirë për të, por njëkohësisht edhe për pasojat që kjo ka në avancimin drejt perspektivës së saj europiane”, tha Montobio. Duke pasur në konsideratë faktin se vlerësimi për statusin e vendit kandidat pritet të jepet në nëntor, atëherë bëhet e qartë se thirrja e ambasadorit spanjoll i referohet pikërisht këtij momenti. Se sa e vërtetë është ndikimi i krizës politike në procesin e integrimit, kjo mund të zbulohet nga deklarimi shtesë i Montobiosë, i cili tha se “unë besoj që miqtë e vërtetë janë ata që të thonë të vërtetën dhe thonë atë që ndodh dhe atë që shohin”. Duke folur për periudhën 6-mujore të Presidencës spanjolle, ambasadori Montobio ka nënvizuar disa ngjarje përcaktuese për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, i cili, sipas tij, bën pjesë në hartën e zgjerimit të Bashkimit Europian. “Unë besoj se kjo është sfida e përbashkët, e të gjithëve, që pikërisht ky Samit i Sarajevës të nënkuptojë perspektivën e 10 viteve të ardhshme. Pra, nënkupton një angazhim të përbashkët dhe një pikë preferenciale të përbashkët, që dekada e 2010-s të jetë ajo e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai. Në fakt, takimi i nivelit të lartë të Bosnjës, i mbajtur me nismën e presidencës spanjolle, është vlerësuar shumë edhe nga ministri i Jashtëm Ilir Meta për përqendrimin që samiti pati për Shqipërinë. “Dua të falënderoj angazhimin e Spanjës, angazhimin e veçantë të ministrit të Jashtëm të Spanjës, z. Moratinos, për mbarëvajtjen e kësaj konference, për mbajtjen e saj në një kohë jo shumë të lehtë për Europën dhe komunitetin ndërkombëtar dhe këtu Spanja ka meritë të jashtëzakonshme që solli në vëmendjen e opinionit europian dhe ndërkombëtar edhe një herë tjetër rëndësinë që ka përfundimi i procesit të integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në veçanti”, tha Meta. Në kuadër të kësaj klime shumë pozitive, të dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe rreth marrëdhënieve dypalëshe, ku edhe firma e djeshme për heqjen e tatimit të dyfishtë është një tregues domethënës. Montobio ka deklaruar se ky hap u ndihmon shumë bizneseve dhe qytetarëve të të dyja vendeve që kanë ngritur dy vitet e fundit nivelin e raporteve diplomatike.
#