Presidenca belge e BE, nuk e vendos Shqipërinë në axhendë
Presidenca belge e Këshillit të BE-së, e cila ka nisur detyrën dje, duket se nuk do të sjellë ndonjë risi në dimensionin ballkanik të politikës së unionit. Programi i publikuar prej saj, në drejtim të rajonit tonë, parashikon më shumë vijimin e punës së presidencës spanjolle, duke marrë në konsideratë serioze konkluzionet e Samitit të Sarajevës, por edhe faktin se integrimi do të bazohet te meritat e secilit vend. “Unioni është gati të vazhdojë zgjerimin e tij. Shkalla në të cilën anëtarët e rinj janë integruar, do të varet në meritat e secilit kandidat. Negociatat me Kroacinë mund që të lëvizin drejt fazës finale, ndërsa ato me Turqinë po ecin përpara. Në gjysmën e dytë të vitit, këshilli do të vijojë shqyrtimin e rekomandimit të komisionit për nisjen e negociatave me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në të njëjtën linjë me mesazhet e përcjella nga Samiti i Sarajevës, i mbajtur në 2 qershor 2010, Presidenca gjithashtu do të punojë për vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor në përputhje me procedurat dhe progresin e reformave të secilit shtet”, thuhet në programin e Presidencës belge. Procedimi, sipas meritave, në të vërtetë krijon një premisë negative për Shqipërinë, e cila aktualisht ndodhet në një krizë vendimmarrëse për sa u përket disa ligjeve me shumë rëndësi. Bllokimi që opozita socialiste po u bën reformave me mospjesëmarrjen në votimin e tyre në Parlament, paralajmëron që tani se disponimi i Presidencës belge për “vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor në përputhje me procedurat dhe progresin e reformave të secilit shtet” ka që tani përgjigjen e vet në Tiranë. Kriza ripërkufizohet edhe njëherë si përmasë frenuese në procesin e integrimit të Shqipërisë, për të cilin do të jepet një opinion rreth muajit nëntor. Ky është ndoshta shkaku pse përditë e më shumë Kryeministri Sali Berisha po apelon për bashkëpunim me Partinë Socialiste, refuzimi i së cilës gradualisht po shndërrohet edhe në një alibi të qeverisë përkundrejt një vlerësimi negativ në vjeshtën e këtij viti. Sa i përket liberalizimit të vizave, presidenca belge nuk parashikon asnjë dispozitë të veçantë, edhe pse nënvizon nevojën e integrimit në politikën e jashtme të unionit të thellimit të luftës kundër trafikut, krimit të organizuar apo emigrimit ilegal. Duhet kujtuar se këto të fundit janë pjesë e monitorimit të ekspertëve të Komisionit Europian që mbërrijnë këtë muaj në Tiranë. Gjithsesi duket se asgjë nuk e vë më në dyshim lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, që në kuptim të konfliktit të brendshëm politik i jep opozitës vetëm një shkallë lirie për të bllokuar elektoralizimin e vizave; nota negative e marrjes së statutit kandidat.
#