Mos dekreto ligjin e inspektimit financiar
Një grupim i bashkive dhe komunave të drejtuara nga Partia Socialistë kanë kundërshtuar dje ligjin për inspektimin financiar publik. Vendorët socialistë i kanë kërkuar dje nëpërmjet një shkrese kreut të shtetit që të mos e dekretojë ligjin e votuar me 71 votat e mazhorancës në Kuvend. Sipas tyre, nisma ligjore e miratuar nga mazhoranca cenon hapur autonominë vendore dhe të drejtën e pushtetit lokal për të menaxhuar financat e tyre. Shoqata për autonominë vendore deklaron se me këtë ligj antikushtetues, Kryeministri synon të bllokojë punën e bashkive të drejtuara nga socialistët. Inspektimi financiar publik i njësive vendore ishte një nga debatet e forta mes mazhorancës dhe opozitës në seancën e së enjtes. Kjo e fundit akuzoi qeverinë se me këtë ligj po shkel mbi kompetencat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, apo Shërbimit Informativ dhe cenon hapur autonominë e pushtetit vendor. Pavarësisht zërave kundër, mazhoranca e miratoi këtë ligj, duke deklaruar se është kusht i kërkuar nga Bashkimi Europian.
#