E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e OKB-se Obama Rruga drejt paqes e gjate

Nuk ekziston rruga e shkurtër për të arritur tek paqja, tha presidenti amerikan, Barack Obama duke iu referuar aplikimit të Autoritetit Palestinez për njohjen e plotë të shtetësisë. Presidenti foli në Nju Jork në hapje të sesionit të vjeshtës të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së.

Sikundër kërkesa palestineze me dramaticitetin që pritet të sjellë në OKB është kryefjala e këtyre punimeve, Obama i kushtoi vëmendje të veçantë, duke kërkuar gjithashtu të shmangë edhe përdorimin e vetos amerikane kundër palestinezëve.

"Jam i bindur se nuk ka një rrugë të shkurtër për t’i dhënë fund një konflikti që tashmë zgjat me dekada. Paqja nuk do të vijë përmes deklaratave dhe rezolutave në Kombet e Bashkuara. Palestinezët meritojnë shtetin e tyre, por kjo arrihet përmes negociatave me Izrealin”, tha Obama.

Obama pritet të kërkojë tërheqjen e kërkesës në OKB, në takimin me presidentin Mahmud Abass. Bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme do të jenë në krye të axhendës së OKB, ashtu sikundër u shpreh edhe sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon në hapje të sesionit.

“Duhet të zgjidhim ngërcin në bisedimet për Lindjen e Mesme. Kemi rënë dakord prej kohësh që palestinezët meritojnë shtetin e tyre. Izreali ka nevojë për siguri. Të dyja palët dëshirojnë paqen. Ne zotohemi për përpjekje të pareshtura për ti ndihmuar të kenë paqen përmes bisedimeve”, tha Moon.

Fjalimi i presidentit Obama dhe nisja e punimeve në OKB janë shoqëruar me përpjekje të intesifikuara diplomatike për nisjen e bisedimeve, ndërsa në Bregun perëndimor mijëra njerëz marshonin në rrugë. Mendimi i përgjithshëm në territoret e pushtuara palestineze është ai se Abaz nuk mund të tërhiqet më, për më tepër, thonë analistët, një gjë e tillë do të ishte vetëvrasje politike.

Njohja nga OKB ka vetëm një rëndësi simbolike, mirëpo palestinezët mendojnë se kjo do forcojë pozitat e tyre në bisedimet me Izraelin. Ndërsa Tel Avivi këmbëngul se iniciativa do të rriste tensionet në rajon. Marshime propalestineze janë mbajtur përballë ambasadës izrealite vetëm disa blloqe më tej nga selia e OKB-së.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›