E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë panik – NATO dhe ekspertët italianë garantojnë sigurinë e digave

Mobilizim total për t’u ardhur në ndihmë të shpërngulurve dhe banorëve në zonat e përmbytura. NATO garanton ndihmën e saj, ndërkohë që eksperti kryesor në qeverinë “Berluskoni” deklaron se gjendja është krejtësisht në kontroll dhe se s’ka vend për kurrfarë spekulimiShefi i ekzekutivit Sali Berisha deklaroi dje përmes një konference për shtyp se, shteti është i mobilizuar tërësisht për kapërcimin e situatës së vështirë në veri të vendit, por nuk përjashtohet mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kreu i qeverisë konfirmoi se nga të gjitha institucionet ka një gatishmëri të plotë për përballimin e shpejtë të situatës. “Ka një mobilizim total për përballimin e situatës. Ushtria dhe policia po dyfishohet, ndërkohë që Komiteti i Emergjencave është mbledhur në Shkodër. Komiteti Ndërministror do të referojë pasdite në mbledhjen e qeverisë, e cila u shty për pasdite për këtë shkak, dhe mbi bazën e propozimeve të tyre mund të merren edhe vendime të tjera për situatën. Ndërkohë Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile duke parë situatën në vend ka bërë të gjitha kërkesat. Po dyfishohet prania e ushtrisë, prania e policisë dhe të gjitha mjeteve në mbështetje të popullatës. Qeveritarët vendorë, me të cilët unë kam komunikim të vazhdueshëm, janë në krye të detyrës. Komiteti i Emergjencës Civile në Shkodrës është i tëri në krye të detyrës. Pra, ka një mobilizim total. Sapo fola me kryetaren e Parlamentit dhe kryetarin e bashkisë së Shkodrës dhe ka një mobilizim total për një përballim të kësaj situate. Situata do të menaxhohet, por kemi një kusht: njerëzit duhet të largohen nga zonat e rrezikuara, nga Bushati, nga Dajçi dhe nga Ana e Malit”, u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë garantoi se është respektuar rregullorja e digave, ndërsa hodhi poshtë të gjitha spekulimet e opozitës. “Autoriteti i mbikëqyrjes së digave zbatoi rregulloren, po ashtu edhe KESH. Spekulimi në këtë moment është amoralitet”, bëri me dije Berisha. Sipas kreut të qeverisë, për situatën në vend është informuar NATO, ndërkohë që kryeministri italian Silvio Berlusconi ka dërguar këshilltarin e tij kryesor në vendin tonë. “Po ashtu të vendosura të ndihmojnë janë edhe qeveria e Austrisë, Kosovës dhe Maqedonisë”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha. Berisha i bëri apel banorëve të zonave të përmbytura në veri, të evakuohen. “Jam këtu sot për t’u drejtuar një thirrje të gjithë qytetarëve të komunës Dajç, komunës Ana e Malit dhe komunës Bushat që të evakuohen dhe të largohen nga territoret e rrezikuara. Në këtë moment nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa largimi dhe evakuimi i tyre, në përputhje me kërkesën e autoriteteve shtetërore që operojnë në atë zonë”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha së gjatë natës që kaloi në Fierzë dhe në Koman prirjet janë mbi dyfishuar. “Natën që kaloi prurjet në Fierzë janë mbi dyfishuar dhe kanë arritur në 1800 m3/s. Prurjet në Koman janë mbi dyfishuar dhe për të ruajtur nivelin e pranueshëm të liqeneve, kusht vendimtar ky në këtë situatë, është imponuar rritje e mëtejshme e shkarkimeve prej tyre. Ne ndodhemi në një situatë ku, mesa duket dhe sipas të gjitha stacioneve sinoptike, reshjet do të vazhdojnë. Ne nuk kemi asgjë më të çmuar se sa jetën e këtyre qytetarëve. Vendimi më i mençur dhe më i guximshëm është largimi nga zona e përmbytjes”, tha Kryeministri. Ai pohoi se rritja e shkarkimeve në HEC-e imponohet nga situata. “Shkarkimi i liqeneve nuk mund të evitohet”, vuri në dukje Berisha. Kreu i qeverisë nënvizoi se nëse situata vazhdon të përkeqësohet në këtë zonë do shpallet gjendja e jashtëzakonshme. “Një nga arsyet pse Komiteti u mblodh në Shkodër ishte pikërisht për të vlerësuar nëse duhet të shpallet ose jo gjendja e jashtëzakonshme. Nuk përjashtoj, mundet të shpall gjendjen edhe që sot. Jemi buzë shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe një herë dua t’i garantoj banorët se qeveria do të jetë tërësisht në mbështetje të tyre, por është i domosdoshëm bashkëpunimi në kapërcimin e kësaj situate natyrore tejet të veçantë. Nuk mund të shmangen derdhjet dhe shkarkimet e liqeneve. Autoriteti i mbikëqyrjes së digave është i detyruar të zbatojë me përpikëri rregulloren dhe po vepron në mënyrë tërësisht të bazuar në rregulloren e administrimit dhe menaxhimit të digave. Ky është interesi më i mirë i të gjithë qytetarëve të vendit”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.Kryeministri i përgjigjet interesimit të mediasA është kjo situatë si pasojë e moszbatimit të rregullave të digave, para se të tejmbusheshin liqenet?Spekulimi në një kohë të tillë dëshmon një amoralitet të madh. çdo qytetar, çdo gazetar dhe çdo politikan është i thirrur që të shkojë dhe të kontrollojë të gjithë regjistrin elektronik të të gjithë treguesve të kaskadës së Drinit, të prurjeve, të niveleve, të shkarkimeve dhe t’i krahasojë me rregulloren, e cila është një rregullore e vitit 1988, ndodhet në shumë kopje dhe mund t’ju bëhet disponibël edhe juve. E them që është në shumë kopje pasi, rastësisht, dëgjova një zë që me papërgjegjshmëri të plotë deklaronte se nuk gjendet rregullorja. Rregullorja është zbatuar pikë për pikë. Rregullorja përcakton kuotat për çdo sezon dhe unë mund t’ju garantoj se pa arritur kuota më e lartë e përcaktuar për sezon, grupi i emergjencës së KESH-it ka filluar shkarkimet. Komani deri në 10-ditshin e fundit kur  janë shtuar reshjet është mbajtur në nivelin 170 metra, që është niveli minimal dhe të  gjitha këto janë të regjistruara. Askush nuk duhet të mendojë se do të nxjerrë përfitime nëpërmjet mashtrimit. Aty është një sistem tërësor elektronik i regjistrimit të parametrave, i cili bëhet me përgjegjësi të plotë. Korporata ka zbatuar me përpikmëri atë që shkruhet në nenet e rregullores. Të gjitha të tjerat janë mashtrime amorale të atyre që mendojnë se mund të nxjerrin përfitime duke mashtruar qytetarët.Zoti Kryeministër, opozita ju akuzon se qeveria po merr përsipër dëmshpërblimet pasi ajo është fajtore për situatën e krijuar?Kjo është një qeveri demokratike. Për këtë qeveri siguria e qytetarëve është e para. çfarëdo që t’u ndodhë qytetarëve shqiptarë, cilado që të jetë fatkeqësia natyrore, qeveria është dhe do të jetë pranë tyre. Ky është rregulli i sigurisë. Ra tërmeti në Dibër, ne llogaritëm dëmet e tërmetit dhe dëmshpërblimet; u bë shembja në Kavajë, pati tërmet dhe shembje, të gjitha vilat u rindërtuan; ndodhi përmbytja, një për një do të kompensohen, por këta kanë edhe një specifikë. Kjo vërtetë është një fatkeqësi natyrore, por është një lëshim i imponuar i ujërave për shkak të sigurisë kombëtare. Në mënyrë absolute, sa herë që të detyrohemi për të hapur portat banorët do të kompensohen qindarkë për qindarkë. Kjo nuk mund të ndryshojë. Kjo është një qeveri që ka buxhetin, por sikur të mos kishte as edhe një qindarkë, të gjitha paratë e energjisë që po shitet do t’u kalojnë atyre. Ne do t’i kompensojmë ata. Ky është detyrim dhe është në konceptin e sigurisë. ç’ është e vërteta, më parë janë mbytur dhe nuk janë kompensuar, por ne do t‘i kompensojmë për çdo qindarkë. Mund t’ju them se është informuar NATO, qendra e emergjencës, pasi ne jemi vend anëtar i NATO-s. Kryeministri Silvio Berlusconi ka dërguar këshilltarin e tij kryesor për energjinë, i cili është njëkohësisht kryetar i Komitetit të Digave të mëdha të Italisë. Po ashtu, qeveria mike austriake ka kërkuar të dijë se cilat janë nevojat tona për ndihma me qëllim që të na i ofrojnë. Qeveria e Maqedonisë dhe qeveria e Kosovës janë të vendosur të na ndihmojnë. Kjo është një situatë, të cilën ne do ta menaxhojmë dhe do ta kapërcejmë. Nuk ka vend për panik, por ka vend për qëndrim më të vendosur, më të mençur dhe serioz. Për disa ditë me radhë, ju dhe pushtetarë të tjerë qendrorë e lokalë po përsërisni apelin drejtuar banorëve që të evakuohen, por ka një rezistencë nga ana e tyre. A do të evakuohen ata me forcë nga forcat e ushtrisë?Ne jemi përpjekur shumë që të ecim me bindje, por ne, në rast se do të detyrohemi, do të veprojmë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Nëse detyrohemi për të shpëtuar jetët e njerëzve, ne do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme në atë zonë, pasi ata nuk mund të humbasin jetën. Ne e shohim që moti është i  papërmbajtur, por ne duhet të bëjmë çdo gjë që të kursejmë jetën e njerëzve. Më pas, po të jetë e mundur, të kursejmë edhe çdo gjë të gjallë. Ka një përllogaritje të faturës financiare të dëmeve deri në këto momente?Në këtë moment ka vetëm një llogari, shpëtimi i jetës së njerëzve. E gjithë fatura do të llogaritet pasi të zbresin ujërat dhe dëmet janë të pamohueshme. Ajo është një zonë me një pjellori të jashtëzakonshme, është një zonë e mrekullueshme. çdo gjë do të llogaritet, por tani jemi të përqendruar te jetët e njerëzve. Ne do të shpëtojmë çdo qytetar në atë zonë, pastaj i bëjmë të tjerat.Ju u shprehët se jemi në prag të katastrofës natyrore, në fakt është thjesht një katastrofë natyrore dhe nuk ka asnjë përgjegjësi njerëzore dhe institucionale për aktorët e tjerë apo ka nevojë për një analizë?Jam shprehur se jemi në prag  dhe çfarë kam nënkuptuar me të. Kam nënkuptuar gjithnjë rrezikun e madh  për jetët njerëzore. Për të tjerat ndjej keqardhje dhe dhimbje, por qeveria qëndron tërësisht pranë fermerëve të Dajçit dhe të Ana e Malit, për t’i kompensuar ata një për një. I ka të gjitha mjetet, i ka të gjitha fuqitë dhe ne e riparojmë. Për sa i përket përgjegjësisë, mendoj se është në interesin tënd më të mirë të shkosh në Korporatë dhe të marrësh të gjithë treguesit dhe rregulloren. Korporata ka zbatuar me përpikëri rregulloren. Për problemet e larta, aty është i gjithëfuqishmi dhe ne jemi të pafuqishëm për ato. Por problemet në tokë, ne po bëjmë çdo gjë që t’i menaxhojmë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›