E Shtunë, 31 Tetor 2026

Caktohet data e gjyqit për komisionerët socialistë

Fier Gjashtë veta akuzohen për braktisje të votimeve

Më 23 mars pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore në ngarkim të gjashtë komisionerëve të dy qendrave të votimit të fshatrave Plyk e Kraps të Komunës Portëz. Ata akuzohen për braktisje të detyrës. Gjyqtari i çështjes, Pirro Sota, ka caktuar edhe datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore. Prokuror i çështjes është çlirim Sina, i cili ka hetuar edhe dosjen e Ruzhdies. Nëpërmjet avokatëve mbrojtës, komisionerët socialistë kanë hedhur poshtë akuzën e ngritura nga Prokuroria e Fierit. Komisionerët pretendojnë se më 28 qershor 2009 ata nuk janë lejuar që të merrnin materialet zgjedhore nga KZAZ-ja nr.19 në qytetin e Patosit. Gjashtë komisionerët thonë se ishin përfaqësuesit e PD-së dhe të LSI-së ata që nuk u paraqitën për të tërhequr materialet zgjedhore. Madje, në deklaratat e dhëna në prokurori, gjashtë komisionerët kanë thënë se edhe banorët e zonës i kanë penguar ata në kryerjen e detyrës. Më 28 qershor 2009, kur në Shqipëri mbaheshin zgjedhjet parlamentare, banorët e dy fshatrave Plyk e Kraps të Komunës Portëz nuk kanë marrë pjesë në votime me vullnetin e tyre. Ata kishin paralajmëruar për bojkot të zgjedhjeve, madje atë ditë bllokuan edhe rrugën që lidh fshatrat e tyre me qendrën e komunës. Prokuroria e Fierit nisi hetimet për rastin pas një denoncimi nga KQZ.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›